Zyrtari iranian paralajmëron SHBA-të: Së shpejtë amerikanët do të jenë nostalgjikë për benzinën 4 dollarëshe

13/04/2026 10:44

Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se amerikanët së shpejti do të jenë “nostalgjikë” për periudhën kur benzina kushtonte rreth 4 dollarë për gallon.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Ghalibaf shkroi: “Shijoni shifrat aktuale. Me të ashtuquajturën ‘bllokadë’, së shpejti do të keni nostalgji për benzinën që kushtonte 4–5 dollarë”.

Ai e shoqëroi postimin me një imazh të çmimeve të karburantit në Washington DC, duke ironizuar situatën ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta mes Teheranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa diskutimet për një bllokadë të mundshme detare në rajon kanë rritur pasigurinë në tregjet globale të energjisë.

Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilave, çmimi mesatar i benzinës së rregullt në SHBA është rreth 4.12 dollarë për gallon, një nivel që mbetet i lartë në krahasim me vitet e mëparshme dhe që reflekton luhatjet në tregun ndërkombëtar të naftës.

Top Channel