Video/ “Jepini çmimin Puskas që tani”, shihni golin e çmendur me ‘rabona’ që po bën xhiron e rrjetit

13/04/2026 08:22

Tifozët e futbollit kanë shpërthyer në reagime në rrjetet sociale pas një goli spektakolar të shënuar në Marok, që shumë po e cilësojnë si një nga kandidatët për golin më të bukur të vitit 2026.

Protagonist ishte sulmuesi i MAS Fes, Driss El Jabli, në fitoren 1-0 ndaj Wydad AC në kampionatin elitar maroken.

27-vjeçari mori topin në kufijtë e zonës dhe më pas realizoi një goditje të jashtëzakonshme “rabona” që përfundoi në këndin e sipërm të portës.

Teknika “rabona” konsiston në goditjen e topit duke kryqëzuar këmbën goditëse pas këmbës mbështetëse — një lëvizje e vështirë për t’u ekzekutuar, aq më tepër për të shënuar me saktësi në portë.

Shokët e ekipit mbetën të shtangur nga realizimi, ndërsa një prej tyre u pa duke vrapuar drejt tij me duart në kokë nga mosbesimi.

Edhe tifozët në rrjetet sociale e kanë cilësuar golin si një pretendent serioz për çmimin Puskás Award, që jepet për realizimin më të bukur në futbollin botëror.

Top Channel