Nga ëndrra për Scudetto-n te makthi për të parë Championsin nga shtëpia, cilat janë arsyet e rënies së lirë të Milanit

13/04/2026 07:37

Situata te Milani është bërë shqetësuese në javët e fundit, me tifozët që shohin “fantazmat” e sezoneve të kaluara të rikthehen në San Siro.

Kujtimet e hidhura nga episode vendimtare po rikthejnë frikën për një fund sezoni dramatik.

Pas fitores në derbi në fillim të marsit, kuqezinjtë ëndërronin rikthimin në garën për titull në Serie A, por realiteti ka qenë krejt ndryshe. Skuadra ka humbur tre nga katër ndeshjet e fundit, duke rënë ndjeshëm në renditje dhe duke rrezikuar objektivin kryesor të sezonit.

Trajneri Massimiliano Allegri nuk e fshehu shqetësimin: “Vendi në Ligën e Kampionëve është në rrezik.” Milani aktualisht përballet me presionin e rivalëve si Juventus, Roma dhe Como, të cilët po tregojnë formë më të mirë në këtë fazë vendimtare.

Problemet janë të shumta: sulmi nuk po funksionon, me emra si Rafael Leao dhe Christian Pulisic që nuk po arrijnë të bëjnë diferencën, ndërsa mbrojtja ka humbur sigurinë. Në katër humbjet e fundit, Milani nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.

Allegri theksoi se skuadra duhet të reagojë menjëherë: “Duhet të kthehemi të organizuar dhe me mendje të kthjellët, të rivendosim rendin në menaxhimin e lojës.” Ai shtoi se objektivi mund të arrihet deri në ndeshjen e fundit: “Kualifikimi mund të vendoset edhe në sfidën e fundit kundër Cagliarit.”

Kalendari nuk është ndër më të vështirët, por paqëndrueshmëria e skuadrës mbetet problem serioz. Ndërkohë, tifozët kërkojnë reagim të menjëhershëm për të shmangur një tjetër sezon zhgënjyes dhe për të siguruar një vend në Liga e Kampionëve, që ka rëndësi të madhe edhe në aspektin financiar dhe të merkatos.

Top Channel