“Jam i mpirë nga dhimbja”, Blendi Salaj rrëfen humbjen e nënës dhe raportin me vdekjen në Grida Duma Podcast

12/04/2026 20:31

Gazetari Blendi Salaj ka ndarë një nga rrëfimet më personale në një intervistë për podcastin e Grida Dumës, ku flet hapur për frikën nga vdekja, humbjen e nënës dhe mënyrën si e ka ndryshuar kjo përvojë.

Ai tregon se raporti me vdekjen ka ndryshuar me kalimin e viteve.

“E kam më të mirë tani sesa më përpara. Më trembte shumë,” shprehet Salaj, duke kujtuar një moment nga fëmijëria kur një mësuese i tha se pas vdekjes nuk ka asgjë. “Nuk mund ta pranoja. Më dukej e pamundur që gjithë ajo dashuri të zhdukej.”

Për gazetarin, përjetimet personale kanë sjellë një qasje më të qetë ndaj fundësisë së jetës.

“Nuk e kam frikë, sepse e di që do të vijë për të gjithë. Askush nuk del i gjallë nga kjo jetë. E rëndësishme është çfarë bëjmë tani, si jetojmë sot,” thotë ai.

Një nga momentet më të forta të rrëfimit lidhet me ndarjen nga e ëma.

“Kam përcjellë nënën time… Më mungon shumë. E kam dash shumë dhe më ka dash jashtëzakonisht,” shprehet Salaj, duke shtuar se dhimbja nuk largohet, por vetëm zbutet me kohën.

“Jo, nuk ikën asnjëherë… mpihet. Mbetet deri në fund.”

Një moment emocional lidhet edhe me lindjen e vajzës së tij, pak muaj pas ndarjes nga jeta të nënës.

“Ajo e dinte që ne prisnim fëmijën e dytë… më vjen keq që s’u takuan, por mirë më vjen që ajo e dinte që e priste,” rrëfen ai.

Në fund, Salaj thekson se mënyra më e mirë për të përballuar humbjen është të jetosh ashtu siç do të donin ata që nuk janë më.

“Unë jetoj ashtu siç mendoj se ajo do donte që unë të jetoja… të vazhdoj, të bëj gjërat që më pëlqejnë.”

Rrëfimi i tij vjen si një reflektim i sinqertë mbi jetën, vdekjen dhe dashurinë që, sipas tij, nuk shuhet kurrë.

Top Channel