Exclusive/ Prokurori i SPAK zbulon rrjetet mashtruese online: Si call center-at kriminalë gënjejnë shqiptarët dhe europianët
Ka një kod të pashkruar në botën e call center-ave mashtruese. Ata kurrë nuk të prezantojnë me emrin e vërtetë. Joshin me garancinë “sa më shumë investon, aq më shumë fiton”.
Sipas britanikëve të National Crime Agency, të angazhuar në investigimet ndërkombëtare ku bëjnë pjesë edhe hetuesit shqiptarë, rezulton se më së shumti telefonatat e mashtrimit kompjuterik kryhen nga numra virtualë, ndryshe VOIP.
Një organizim midis njerëzores dhe kibernetikës që ka shkatërruar financiarisht mijra europianë, duke i kthyer të pashpresë deri aty sa në përgjime i mashtruari njofton se do t’i japë fund jetës.
SPAK rendit raste fatkeqe dhe ekstreme të zhvatjes, kryer nga një call center, duke u bazuar në ndërveprimin hetimor me partnerët që, përmes letërporosisë, njoftojnë bisedën mes viktimës dhe shërbimit mashtrues, i cili e garantonte për skemën e rimbursimit të parave të investuara.
“Fabio flet me Irinën, duke qarë dhe i ankohet për investimin në shumën 31 mijë euro dhe se nuk ka më para, pasi rrezikoi gjithçka që kishte dhe po mendon vetëvrasjen. Irina i thotë se duhet të paguajë një komision për transfertat, të barabartë me 4 500 euro. Fabio e informon se ka paguar 4 mijë eurot e fundit që kishte për komisionet e dy transfertave. Irina përgjigjet se atyre nuk u intereson nëse janë paratë e fundit, pasi Fabio duhet të paguajë edhe një taksë tjetër që duhet për bankën e në Angli”.
Në një intervistë për “Exclusive” me Anila Hoxhën, Mateo Deruda, një viktimë e call center-ave thotë: “Unë praktikisht kam humbur të gjitha kursimet e mia dhe të gruas. Nuk e dija se kush ishin personat që më kishin kontaktuar, nuk e dija që ishin shqiptarë dhe emrat ishin të ndryshëm: angleze, gjermane, skoceze dhe italianë. Nuk e kuptova që nuk ishin të tillë. Ishin shumë të shkathtë e të aftë për të kërkuar të dhëna personale e familjare (çfarë bëja, çfarë haja, ku shkoja, arsimin). I besoja dhe ata më jepnin mundësinë që të rritesha financiarisht duke ju dhënë para. Ju jepja informacione dhe mbi sportet që ndiqja, se më krijuan një ambient konfidencial. Më thoshin mos u shqetëso, se me ne do fitosh 1 milionë euro, dhe unë jepja paratë e mia. Fillova të kuptoj kur platforma online u zhduk dhe unë nuk pashë më asnjë.”
Top Channel