Mbingarkesa në Gjykatën e Durrësit po cenon cilësinë e drejtësisë dhe po zvarrit zgjidhjen e çështjeve për qytetarët. Mes mijëra dosjeve në pritje, në Durrës e Apel, ka dhe qindra për zgjidhje martese, të cilat shpesh zgjasin për vite të tëra.
“Koha nga momenti i dorëzimit të padisë deri në zbardhjen e vendimit dhe që ai të marrë formën e prerë, të paktën për fëmijët, është një boshllëk i madh që nuk mund të zgjidhet në momentin që shkon padia, ose që ligjvënësi duhet ta shohë që ta zgjidhë këtë problem, por me ndërmjetësim kjo mund të zgjidhet shumë shpejt”, tha avokatja Merita Dakavelli.
Vetëm vitin e kaluar u regjistruan në Gjykatën e Durrësit 685 kërkesa për zgjidhje martese. E ndërsa presin të mbyllin një kapitull të jetës, shumë qytetarë përballen me vonesa dhe vështirësi. Për të tjerë mbetet ende tabu të flasin për to.
“Nuk punojnë gjykatat, se po të punojnë ka zgjidhje”, thonë qytetarët.
“Besoj që gjykatat i sorrollasin. Nuk e di për çfarë arsye, ndoshta…”, thonë qytetarët.
Ndërkohë, ndërmjetësimi shihet si një rrugë më e shpejtë dhe efikase për zgjidhjen e divorceve, kur ka dakordësi mes palëve. Por në praktikë, kjo alternativë nuk pranohet njësoj nga të gjithë gjyqtarët. Disa e mbështesin si zgjidhje, ndërsa të tjerë vijojnë t’i mbajnë çështjet brenda procedurave të gjata gjyqësore.
“Ka mendime të ndryshme dhe nuk kemi ende një ndryshim në Kodin e Familjes që kjo të mos jetë e interpretueshme nga vetë gjyqtarët, por të pranohet si alternativë tjetër për zgjidhjen e martesës”, tha avokatja Merita Dakavelli.
Ligji shpesh është i ngurtë dhe nuk ofron zgjidhje të shpejta, duke sjellë kosto, lodhje dhe konflikte të reja mes çiftit, që mbi të gjitha cenojnë jetën e fëmijëve. E ndërsa zgjidhjet ekzistojnë, por nuk zbatohen njësoj, për qytetarët, marrja e drejtësisë kushton dhe mbetet peng i gjyqësorit.
Top Channel