Italia dhe hipoteza e superplayoffit të Botërorit; ideja e fundit e FIFA për një ripranim të bujshëm
Federata Italiane e Futbollit vijon të mbetet pa një president të ri, me zgjedhjet e caktuara për më 22 qershor.
Deri atëherë, drejtimi i përkohshëm mbetet në duart e Gabriele Gravinës, i cili ka dhënë dorëheqjen, por po shfrytëzon këtë periudhë për të analizuar dështimin e kombëtares dhe krizën më të gjerë që ka përfshirë futbollin italian.
Duke folur për eliminimin nga Kupa e Botës, Gravina u ndal te ndeshja ndaj Bosnjës, duke vlerësuar përkushtimin e lojtarëve dhe punën e stafit teknik: “Djemtë dhanë gjithçka në fushë. Gattuso solli shpirt në ekip, pavarësisht kohës së kufizuar në dispozicion.”
Megjithatë, ai pranoi se penalltitë rezultuan vendimtare, duke përdorur edhe nota ironie: “Ndoshta duhet të isha një futbollist më i mirë. Humba penallti dhe raste vendimtare… ndoshta duhet të isha stërvitur më shumë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi drejtuesit.
Gravina shpjegoi edhe arsyet e dorëheqjes së tij pas humbjes në Zenicë, duke e cilësuar atë si një vendim të dhimbshëm, por të domosdoshëm: “Është një akt i fundit dashurie për futbollin. E kisha menduar largimin edhe më herët, për shkak të pengesave dhe kufizimeve që po frenojnë zhvillimin e sportit.”
Ai nuk i kurseu kritikat ndaj klimës së përgjithshme në vend, duke theksuar se shpesh debati publik dominohet nga reagime emocionale dhe jo nga analiza racionale: “Jetoj pothuajse i izoluar. Shpresoja që pas pandemisë të kishim një frymë më të mirë, por disa instinkte janë përkeqësuar.”
Në përgjigje të kritikave personale, Gravina u shpreh i prerë: “Nuk pranoj gjykime morale nga askush. Askush nuk ka të drejtë të më quajë të padenjë.”
Një pjesë e rëndësishme e analizës së tij lidhet me rolin e klubeve të Serie A, të cilat, sipas tij, nuk kontribuojnë sa duhet në zhvillimin e talenteve vendase: “Klubet ndjekin interesat e tyre si kompani private dhe nuk investojnë mjaftueshëm në rritjen e lojtarëve të rinj për ekipin kombëtar.”
Në fund, ai dha edhe një mesazh të fortë për raportin mes futbollit dhe shoqërisë italiane: “Vetëm tifozët e duan vërtet kombëtaren. Për shumë të tjerë, përfshirë politikën, ajo përdoret vetëm kur gjërat shkojnë keq.”
Top Channel