“Shkojnë në kryeqytetet e Europës dhe bëjnë copash vendin e tyre”, Rama për opozitën: I gënjen mendja se mund të na mundin duke lehur në Bruksel

11/04/2026 16:44

Kryeministri Edi Rama foli për opozitën gjatë Asamblesë së PS-së në Lushnjë, duke u ndalur tek përpjekjet e tyre për të ndikuar negativisht në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Rama teksa mori shembujt e vendeve fqinje që kanë hapur procedurat e anëtarësimit në BE, shtoi se vetëm opozitarët këtu e kundërshtojnë anëtarësim.

“Në 11 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt, nuk i ka bërë asnjë vend tjetër, por ka një gjë që shqiptarët, duhet të mos e harrojnë. Dëgjoni këtu: Të gjitha vendet e reja që kanë hyrë në Bashkimin Europian kanë pasur luftëra të brendshme politike.

Kush e ka ndjekur pak rajonin me siguri nuk e ka të vështirë të kujtohet që Maqedonia nuk ishte akoma e Veriut atëherë, ka qenë në luftë të madhe politike, ka qenë dhe në prag të luftës civile, por nuk ka bërë vaki dhe e thonë ata, “ore s’ka bërë vaki të vijnë të vijë opozita e Maqedonisë në Bruksel dhe të mos lërë gjë pa thënë duke u lutur që bllokoheni Maqedoninë, ndalojeni Maqedoninë, vendin e tyre, nuk ka bërë vaki”.

Mali i Zi, ka pasur dhe Mali i Zi probleme. Mali i Zi ka probleme të harmonisë etnike, nuk ka bërë vaki, nuk ka bërë, “nuk na kanë ardhur ndonjëherë”, – thonë ata në Bruksel, “opozita malazeze që të na rrokanisi me të tëra të zezat e mundshme, a thua se ne jetojmë në Hënë”.

Ata kanë përfaqësinë e tyre me 50 veta, me 60 veta, kanë nuk e di sa mijëra njerëz që merren me ne në Bruksel, shkojnë këta ju tregojnë atyre se çfarë ndodh në Shqipëri.

Bullgaria sot e gjithë ditën nuk gjen paqe nga zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje, partira, historira, është në Bashkimin Europian. Edhe kështu ka qenë edhe para se të hynte, por nuk ka ndodhur që partitë të nisen mbas berihajit e të shkojnë nëpër kryeqytetet dhe Europës e të bëjnë copash vendin e tyre.

Këtë me keqardhje them, e bëjnë vetëm ata, se s’mund të them ata që kemi përballë, se ne nuk i kemi përballë ata, ata i kemi mbrapa dhe i kemi gjithmonë e më mbrapa. I kemi gjithmonë e më mbrapa, por ama nuk ndodhin këto gjëra. Nuk dalin njerëzit kështu nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj, për nuk e di për çfarë.

Se unë nuk e kuptoj i gënjen mendja që do na mundin ne këtu duke dalë në televizor jashtë shtetit, do na mundin ne këtu duke shkuar në Bruksel duke lehur, i gënjen mendja, që do na ulin ne e do ngrenë veten. Sa më shumë ta bëjnë këtë gjë aq më shumë do zhyten se jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën sukses“, tha Rama.

 

Top Channel