Protestat për karburantin paralizojnë Irlandën, mbi një e treta e pikave pa furnizim

11/04/2026 17:30

Protestat kundër rritjes së çmimeve të karburantit kanë shkaktuar kaos në Irlandë, duke lënë mbi një të tretën e pikave të furnizimit pa karburant dhe duke bllokuar rrugët kryesore në vend.

Sipas autoriteteve, drejtues kamionësh dhe traktorësh kanë hyrë në ditën e pestë të bllokadave, duke penguar funksionimin e rafinerisë së vetme të vendit dhe disa depove të furnizimit.

Si pasojë, janë mbyllur autostrada kryesore rreth kryeqytetit Dublin dhe disa rrugë të tjera të rëndësishme.

Drejtori ekzekutiv i “Fuels for Ireland”, Kevin McPartlan, bëri të ditur se më shumë se një e treta e rreth 1500 pikave të karburantit në vend kanë mbetur pa furnizim, ndërsa situata pritet të përkeqësohet nëse bllokadat vazhdojnë.

Policia irlandeze ka vënë në gatishmëri të gjithë efektivët, ndërsa edhe ushtria është në dispozicion për të ndërhyrë në rast nevoje për zhbllokimin e rrugëve. Qeveria pritet të rinisë bisedimet me protestuesit për të gjetur një zgjidhje.

Kryeministri Micheál Martin paralajmëroi se vendi rrezikon të përballet me mungesë të furnizimit me naftë, duke theksuar se situata është e vështirë për t’u kuptuar dhe e pajustifikueshme.

Në protesta kanë marrë pjesë transportues, fermerë, si dhe operatorë taksish dhe autobusësh, të cilët kërkojnë vendosjen e kufijve për çmimet ose ulje të taksave mbi karburantin.

Qeveria kishte miratuar më herët disa masa për të lehtësuar situatën, përfshirë uljen e përkohshme të akcizës dhe mbështetje për sektorët që përdorin naftë, por këto masa janë tejkaluar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel