“Pensionistëve u jep 2 kg domate në muaj”, Berisha për rritjen e çmimeve: Fermeri e blen naftën 220 lekë, ndërsa jahtet e marrin me 60 lekë

11/04/2026 12:24

Si çdo të shtunë, kreu i PD-së, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim virtual me qytetarët, ku foli për rritjen e çmimeve.

Kryedemokrati sulmoi qeverinë duke thënë se ‘po gënjen pensionistët duke u dhënë 2 kg domate në muaj’, ndërsa shtoi se fermeri e blen naftën me 220 lekë për litër.

Miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë.

Ky është një qëndrim cinik, një qëndrim i pashpirt, siç është i pashpirt dhe cinik qëndrimi ndaj pensionistëve, të cilëve ua mbajti bonusin që duhej t’ua jepte që në janar, dhe tani doli kokoshi i katandisur në thelë, u jep 8 euro për shumicën dhe për një pjesë të vogël të tyre shtesa është gjithsej 18 euro.

Pra u jep shumicës së pensionistëve dy kile domate në shtesë mujore.

Kjo është një tallje të cilën e bëjnë ata që nuk kanë ndjenja, shpirt, zemër njeriu, por shohin vetëm pasurimin e tyre”, u shpreh Berisha.

Top Channel