Lufthansa bllokohet nga greva, qindra fluturime anulohen, kaos për udhëtarët në prag të Pashkëve

10/04/2026 12:58

Punonjësit e Lufthansas kane nisur këtë të premte në grevë, që rrezikon të shkaktojë anulimin e qindra fluturimeve.

Greva e thirrur nga sindikata UFO pritet të zgjasë nga ora 00:01 deri në 22:00 dhe do të prekë të gjitha nisjet e Deutsche Lufthansa AG nga aeroportet kryesore të Frankfurtit dhe Mynihut, si dhe nisjet e degës rajonale Lufthansa Cityline nga nëntë aeroporte të tjera, përfshirë Hamburgun, Bremenin, Shtutgartin, Këlnin, Dyseldorfin, Berlinin dhe Hanoverin. Për pasagjerët kjo do të thotë anulime masive.

Shoqata e aeroporteve ADV parashikon se mbi 520 fluturime mund të anulohen. Në Frankfurt, nga rreth 350 nisje të planifikuara të Lufthansa-s, 75% janë anuluar, ndërsa raportimet lokale tregojnë se rreth 280 nisje dhe 270 ulje janë pezulluar. Aeroporte të tjera të mëdha si Hamburgu dhe Berlini kanë përjetuar gjithashtu anulime të dhjetëra fluturimesh. Greva ka pasoja edhe për udhëtarët që kthehen nga pushimet e Pashkëve, për shkak të mungesës së avionëve.

Lufthansa ka njoftuar se disa fluturime do të mbulojnë linjat e tjera të kompanisë, si Discover, Lufthansa City dhe Euroëings. Për më tepër, degët ndërkombëtare, përfshirë Austrian Airlines, Sëiss, Brussels Airlines, Air Dolomiti dhe ITA Airways, do të përpiqen të ofrojnë fluturime shtesë ose të përdorin avionë më të mëdhenj për të zbutur efektet e grevës.

Anëtari i bordit të Lufthansa-s përgjegjës për personelin, Michael Niggemann, kritikoi kohën e zgjedhur për grevën, duke e quajtur atë të papërgjegjshme, veçanërisht për pasagjerët që kthehen pas pushimeve të Pashkëve. Por kreu i UFO-s, Joachim Vázquez Bürger, theksoi se përgjegjësia për situatën qëndron te Lufthansa, e cila nuk ka ofruar deri tani një ofertë të pranueshme për punonjësit.

Greva ishte paraprirë nga një paralajmërim dhe një votim i brendshëm i punonjësve, që mbështetën në masë të madhe thirrjen për t`u hedhur në veprim.

 

Top Channel