Ekspozita e Salvador Dalit në Tiranë/ 81 vepra origjinale në COD, arti botëror vjen për herë të parë në kryeqytet

10/04/2026 15:44

Një ekspozitë e veçantë me vepra origjinale të artistit me famë botërore Salvador Dalí, u çel në Tiranë.

Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog, për herë të parë janë ekspozuar 81 gravura që përfshijnë vitet nga 1934-1972, një periudhë fillimi dhe eksperimentimi e Salvador Dali.

Ky koleksion i jashtëzakonshëm veprash ka lënë gjurmë në historinë e artit botëror.

Kuratorja Christine Argille thotë: “Janë vepra mjaftë interesante, është një koleksion i konsiderushmë. Babai im ka punuar për shumë vite me të, ishte kënaqësi të punonte me të. Dalí ka qenë një njeri që ka punuar shumë dhe ka qenë I ndrojtur njëkohësisht dhe njerëzit nuk e dinin këtë tipar të tij”.

Një ekspozitë e jashtëzakonshme e cilësoi kryeministri Edi Rama, një arritje e re në promovimin e artit ndërkombëtar në Shqipëri.

“Prezenca këtu e një koleksioni të jashtëzakonshëm origjinalesh të një artisti që ka shënjuar historinë e artit botëror është diçka vërtetë për tu kremtuar. Nuk kam çfarë të them për koleksionin, është i jashtëzakonshëm. Ky koleksion është një ftesë për në parajsë për një moment të caktuar. Kështu që shijojeni këtë ftesë. Kjo ekspozitë do të hyjë në historinë e kësaj godine”, u shpreh Rama.

Ekspozita me vepra të Salvador Dalí, do të qëndrojë e hapur për deri më datë 23 maj.

Top Channel