Trump sulmoi NATO-n për Ngushticën e Hormuzit, Merz: Nuk dua që lufta e SHBA-së dhe Izraelit të përçajë Aleancën

09/04/2026 18:14

Friedrich Merz tha se nuk dëshiron që fushata SHBA-Izrael të “përçajë” NATO-n ose të tensionojë më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe aleatëve të saj në Evropë, duke lënë të kuptohet se Gjermania mund të luajë një rol në sigurimin e kalimit në Ngushticën e Hormuzit.

Duke iu përgjigjur kritikave të fundit të Donald Trump ndaj Aleancës, Merz tha “ne nuk duam, një përçarje në NATO”, duke paralajmëruar se lufta nuk duhet të tendosë më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë të NATO-s.

“NATO është garantuese e sigurisë sonë, duke përfshirë dhe veçanërisht sigurinë në Evropë”, theksoi ai.

Në të njëjtën kohë, ai minimizoi rrezikun e tërheqjes ose zvogëlimit të pranisë së trupave amerikane në Gjermani, pas raportimeve se Trump po shqyrtonte një mundësi të tillë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz pranoi se lufta me Iranin ka qenë një “provë qëndrueshmërie” për NATO-n dhe tha se nuk donte që marrëdhëniet transatlantike të tensionohen më tej.

Merz tha se diskutoi të ardhmen e Aleancës me Donald Trump në një telefonatë të mërkurën dhe se propozoi vazhdimin e diskutimit para samitit të NATO-s në Ankara në korrik.

“Është qëllimi im i vendosur të bëj gjithçka për të ruajtur mbrojtjen e NATO-s, përfshirë SHBA-në, për Evropën”, tha ai, duke shtuar se “kjo Aleancë, të paktën për momentin, nuk mund të zëvendësohet nga asgjë tjetër, kështu që kam një interes të madh ta ruaj dhe ta zhvilloj më tej atë së bashku me presidentin amerikan”.

Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman vuri në dukje se “intensiteti me të cilin Izraeli po zhvillon luftën atje mund të çojë në dështimin e procesit të paqes në tërësi, dhe kjo nuk duhet të ndodhë”.

Ai tha se ai dhe udhëheqës të tjerë i bënë thirrje Izraelit të mërkurën që të “ndalojë intensifikimin e mëtejshëm të sulmeve”, ndërsa ministri i jashtëm i Gjermanisë zhvilloi dy bisedime me homologun e tij izraelit.

Dje, kancelari tha se qeveria gjermane do të rifillojë kontaktet me Iranin, në konsultim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj evropianë, me qëllim që të kontribuojë në suksesin e negociatave të paqes.

Top Channel