Rritja e çmimit të naftës pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, JD Vance: Nëse iranianët duan që negociatat të dështojnë për Libanin…

09/04/2026 13:31

Frika e shembjes së armëpushimit të porsa shpallur mes SHBA-së dhe Iranit, riktheu pasigurinë në tregjet globale të energjisë, të cilat u luhatën sërish pas stabilizimit të arritur një ditë më parë.

Teherani kërcënoi të rinisë luftimet pas bombardimeve izraelite mbi Liban mbrëmjen e kaluar, që shkaktuan me dhjetëra viktima. As lajmet se zëvendës Presidenti JD Vance pritet të udhëheqë delegacionin amerikan në Pakistan të premten ose të shtunën për bisedime mbi përfundimin e luftës, nuk mjaftuan për të fashitur panikun e investitorëve.

Tregjet globale të aksioneve shënuan rritje ndërsa cmimi i naftës pësoi një rënie të ndjeshme të mërkurën pas njoftimit të Presidentit Donald Trump për një armëpushim dyjavor, dhe deklaratave të Republikës Islamike se do të rihapte  Ngushticën e Hormuzit, teksa i jepej një shans diplomacisë për zgjidhjen e krizës.

Megjithatë, vetëm një ditë pas marrëveshjes, u shfaqën shenjat e para të krisjes së paktit me deklaratat e Tel Avivit se ujdia nuk përfshinte luftën e Izraelit kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban.

Kjo pikëpamje u mbështet edhe nga Zëvendës Presidenti JD Vance, i cili tha se: “Nëse iranianët duan që negociatat të dështojnë për shkak të Libanit, i cili nuk ka lidhje me ta dhe për të cilin Shtetet e Bashkuara nuk thanë kurrë se ishte pjesë e armëpushimit, atëherë kjo është zgjedhja e tyre.” Irani vetë pretendon se një gjë e tillë i shkel kushtet e marrëveshjes, dhe e mbylli sërish rrugën strategjike nga ku kalon një e pesta e naftës dhe gazit botëror.

Top Channel