“Portet nuk janë marina turistike”/ Balla i kthehet Këlliçit në Kuvend: I keni fobi varkat, nuk i linit në det

09/04/2026 14:08

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, akuzoi mazhorancën për përshpejtimin e votimit të një projektligji për portet turistike.

Ai theksoi se portet nuk janë vetëm për turizëm, por edhe infrastrukturë strategjike, pasuri publike dhe element thelbësor të sigurisë kombëtare të një shteti.

“Përse po nxitohet sot kjo qeveri dhe për kë po nxiton kjo qeveri? Sepse për shqiptarët nuk e kemi parë asnjëherë që të nxitojnë të ulin çmimin e naftës, nuk ka nxituar për të shpëtuar fermerët nga falimentimi, nuk ka nxituar për ilaçet e pacientëve me kancer, ndalimin e pastrimit të parave. Sigurisht, kjo qeveri përherë nxiton kur vjen puna te klientët e saj strategjikë.

Sot me këtë projektligj kërkohet që portet të jepen pa garë, pa transparencë dhe në mënyrë të privilegjuar për të ashtuquajturit investitorë strategjikë. Ky nuk është një ligj për zhvillim, por për favorizim të pronës publike.

Portet nuk janë thjesht marina turistike. Ato janë infrastrukturë strategjike, pasuri publike dhe element thelbësor të sigurisë kombëtare të një shteti. Integrimi nuk bëhet me fjalë, por me standarde dhe standardet po shkelen. Kjo nuk është reformë, por një kapje totale e shtetit”, tha ndër të tjera Këlliçi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, iu përgjigj duke kujtuar se në kohën e PD-së, varkat nuk përdoreshin as për të lundruar në det.

“Ju ndoqa me vëmendje, edhe turizmi është çështje me shumë rëndësi. Është një nga sektorët që janë motor të Shqipërisë. Sa i përket turizmit, si histori tepër e suksesshme e ekonomisë shqiptare, për ne, pesë gjëra i ka sjellë turizmi. Në Shqipëri sot, krahasuar me vitin 2013, kemi më shumë se katër herë turistë se sa kishim atë vit.

Turizmi sjell më shumë punë, më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie. Sot, Shqipëria ka një ofertë për Diasporën për t’u rikthyer. ‘Paketa e Maleve’ apo ‘Dyfisho Biznesin Tënd’ janë dy paketa që shumë vëllezër e motra të Diasporës po përdorin.

Kemi një prodhim të brendshëm bruto, më pak se 10 miliardë në 2013. Jemi sot 27 miliardë. Nuk gjen një vend tjetër në Ballkanin Perëndimor që ta ketë trefishuar ekonominë e vet brenda kësaj kohe.

Ne kemi një parashikim rritjeje prej 3.5%. Sot këtu dua të shpreh një sezon më të suksesshëm turistik se ai i vitit të kaluar. Numrat janë pritshëm më të mirë. Në Golem kemi të paktën një rritje më të mirë se vjet.

Shqipëria pret një sezon turistik ku mesazhi i Kuvendit duhet të jetë mbështetës dhe të dënojë mesazhet e dhunës. Kush mendon se mund të dëmtojë ekonominë duke djegur godina me molotovë, dëmton ekonominë e shqiptarëve dhe turizmin.

Për t’u kthyer te turizmi: Porto Montenegro apo Korfuzi duhet të kenë këto porte turistike, dhe ne pse të mos i kemi? Kur ishit ju, nuk donit fare. As varkat të lëviznin në det nuk i linit. Ishte mendësi e dikujt që vinte nga një zonë pa det. I keni fobi varkat, edhe pse vetë lëviznit me varkë dhe shijonit bregdetin e Jonit”, u shpreh Balla.

Top Channel