“Për të gjithë ata që lehin, në shqip e anglisht…”, Rama për akuzat e pastrimit të parave në ndërtim: Lloj-lloj maskarenjsh që s’pranojnë dot suksesin e Shqipërisë

09/04/2026 15:40

Kryeministri Edi Rama mblodhi investitorët e ndërtimit në një takim në kryeqytet, nga ku e cilësoi sektorin që po transformon Shqipërinë dhe po e afron më shpejt drejt Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë i vlerësoi të pavenda kritikat e njollosjen ndaj tyre si një industri që shërben për pastrimin e parave.

“Shoqatat tuaja duhet t’i vëmë përpara përgjegjësisë këto lloj burimesh që vetëm përbaltin, sepse në fund të ditës këto trembin njerëzit, trembin blerësit dhe nga ana tjetër nëse organet e drejtësisë bënë punën e tyre për të për të vënë në sekuestro një ndërtim apo një kantier sepse ju figuron i lidhur me kanale të pastrimit të parasë kjo nuk ka pse tremb gjithë dynjanë edhe shqetëson gjithë industrinë sepse industria nuk është e ndërtuar mbi ato lloj kanalesh dhe ky është fakt dhe është shumë e rëndësishme që faktet të ekspozohen, sepse këtu problemi më i madh është që nga mëngjesi deri në darkë nuk guxon njeriu të hapi një pasqyrë për t’u marrë vesh se çfarë po ndodh, se do bombardohet me gënjeshtra dhe me baltë e me helm dhe prandaj përpjekja për të ekspozuar faktet duhet të jetë më e madhe dhe këto janë fakte”, u shpreh Rama.

Të bëjmë një diskutim dy anësh, nga njëra anë çfarë është bërë deri tani dhe nga ana tjetër një projekt që është ambicie e të ardhmes dhe që është pasqyrë e një sektori të ndërtimit i cili në Shqipëri sjell shumë të mira, por nga ana tjetër për fat të keq si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim, që mbulohet me baltë kur shfaqet si  një shenjë e së nesërmes, është një sektor që merr vazhdimisht goditje, sulme, baltë, që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij.

As nuk e vë në diskutim që as në këtë sektor, si në çdo sektor tjetër, sikundër në Shqipëri ashtu dhe në do vend tjetër, ka probleme. Problemet këtu në Shqipëri patjetër që janë më të mprehta në disa raste sesa janë në disa vende të tjera. Nuk e vë në diskutim që jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër dhe e qartë si drita e diellit dhe është e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses evident të Shqipërisë, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.

Pa diskutim që këto apartamente nuk i blen dot as një i varfër dhe as një njeri që jeton me një pagë të ulët apo mesatare. Por ama, nga ndërtimi i këtyre apartamenteve bashkia e Tiranës dhe bashkitë që ndërtojnë të tilla, marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit, për të ndërtuar dhe investuar në skema të strehimit social. Pra kontribuojnë edhe për strehimin e përballueshëm këto ndërtime“, deklaroi Rama.

Për të gjithë ata që lehin, në çdo gjuhë që lehin, nga shqipja deri në anglisht dhe gjuhë të tjera, dhe që menjëherë nxitojnë ta kokrrizojnë këtë transformim të Shqipërisë dhe Tiranës si transformimin e krimit, sot që flasim ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që janë të porositura dhe nuk paguhen me cash, por me bankë”, tha kreu i ekzekutivit.

“Integrimi nuk është thjeshtë që ne do bëhemi pjesë e BE dhe këtu nuk do vijë njeri, por si kudo këtu do blejnë shtëpi, do hapin biznese, do çojnë fëmijët nëpër kopshte dhe këto ndërtime janë pjesë e ambicies që ka Shqipëria, nuk janë skena krimi por transformimi.

Lloj-lloj teorish, lloj-lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë”, tha kreu i qeverisë.

“Dua të them që e gjithë kjo që ndodh edhe në sektorin e ndërtimit ne na jep krahë për të shkuar më shpejt përpara në rrugën e anëtarësimit sepse anëtarësimi në BE, nuk është një certifikatë formale por proces transferimi. Të gjitha ato hapa që ne Komision Europian na i konfirmon, nuk janë lehta por transformimi real këtu.

Prandaj ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni, në fakt janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit. Suksesit të të gjithë atyre që bëjnë sukses në rrugën e tyre, sepse e kanë të pamundur për t’ia pranuar dhe falur suksesin.

Ata që flasin për korrupsionin që qenka rritur, duhet t’u dëgjojë ju (ndërtuesit), se nuk mund të rritet korrupsioni kur ti paguan 14 mln euro takstë, ndërkohë që kur korrupsioni ishte më i lartë ti paguaje shumë më pak taksë. Sepse përqindjen e taksës e kanë në dorë ata që qeverisin, ata që janë edhe promotorë ose janë edhe kundërshtarët e korrupsionit. Por 14 mln euro taksë me korrupsion nuk shkojnë të dyja bashkë. Nëse rriten të ardhurat, nuk rriten nga shiu, por nga taksat. Dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, dhe ne kemi shumë më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion.

Të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë këto leje, mund ta dëshmojnë se luftën me ne e kanë për cilësinë e projekteve”, tha Rama.

Top Channel