Një 21-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia në Lushnjë, pasi dyshohet se lëvizte i armatosur në qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të operacioneve për kapjen e personave në kërkim, kanë vënë në pranga shtetasin M. S., banues në këtë qytet.

Sipas Policisë, i riu ishte shpallur në kërkim që prej datës 21 mars 2026, pasi në ambientet e një lokali në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, ku ai qëndronte me pesë persona të tjerë, u gjet dhe u sekuestrua në xhupin e tij një armë zjarri pistoletë. Në momentin e ndërhyrjes së forcave të rendit, 21-vjeçari nuk ndodhej në vendngjarje.

Gjatë kontrollit të ushtruar më pas në banesën e tij, policia ka gjetur edhe municion luftarak.

Në kuadër të këtij rasti, më 21 mars 2026, u arrestuan edhe pesë shtetasit që ndodheshin në lokal bashkë me të riun, nën akuzën e moskallëzimit të krimit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e veprimeve të mëtejshme.

Top Channel