“Procesi i zhvillimit të marrëdhënieve me BE është si një ndërtesë”/ Rama: Kati i parë është Brukseli, në të dytin 27 vendet anëtare

08/04/2026 16:11

Nga asambleja socialiste në Lezhë kryeministri Edi Rama bëri një shpjegim të detajuar të procesit ku ndodhet Shqipëria në pritje të marrjes së notës për provimin EBAR nga vendet anëtare të BE-së.

Ky proces tha kryeministri është si një ndërtesë me dy kate ku na katin e parë  është Komisioni Europian dhe të dytin vendet anëtare.

“Procesi i zhvillimit të marrëdhënieve me BE nuk është një proces që nuk ka rëndësi vetëm ajo që do ti, por edhe ajo që duan ata. Për ta pasur një ide shumë të thjeshtë si funksionon, është si një ndërtesë me dy kate. Në katin e parë është Brukseli. 35 mijë njerëz që punojnë me të gjitha çështjet dhe një pjesë e tyre merren me vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së. Ata i paraqesin vendeve detyrat. Në bazë se si vendi i kryen detyrat, ata i çojnë letrat në katin e dytë dhe nxjerrin raportin dhe thonë: ky është raporti për Shqipërinë, Shqipëria i ka kryer detyrat dhe duhet të hapë negociatat.

Ata në katin e dytë tani janë 27 vendet anëtare dhe aty funksionon ndryshe. Aty nuk funksionon vetëm me çfarë ke bërë ti. Aty funksionon sa gati janë të 27 që të thonë “po” dhe mjafton një të thotë “jo”, nuk bëhet. Për çdo gjë, edhe për vendimet që Bashkimi Europian merr për veten e vet, del njëri kundër, s’bëhet.

Nuk duhet të mendojmë që dera e hapur e Bashkimit Europian do të rrijë hapur për gjithë jetën dhe do na presin ne. Dera është e hapur dhe ne duhet të hyjmë brenda”, tha Rama.

Top Channel