Një shqiptar në burg çdo dy ditë në Britani, The Telegraph: Përbëjnë 9% të të huajve në qelitë britanike

08/04/2026 11:09

Një shqiptar po shkon në burg çdo dy ditë në Britani, sipas raporteve të fundit të autoriteteve angleze.

Rritja e numrit të të dënuarve lidhet me valën e emigrantëve që kanë mbërritur me varka të vogla në vitin 2022, shkruan The Telegraph.

Gjatë tre muajve të parë të vitit, 63 shqiptarë janë dërguar në burg për një total prej 207 vjetësh, duke përbërë 9% të të huajve të burgosur në Angli dhe Uells. Shumë prej tyre besohet se kanë hyrë në vend ilegalisht për të punuar në tregun informal ose për krim të organizuar.

Shumica e dënimeve lidhen me trafikun e drogës dhe vjedhje, por një rast i veçantë ka qenë ai i Klevi Pirjanit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e foshnjës së tij tre-mujore.

Autoritetet britanike thonë se secili i burgosur kushton mbi 60 mijë paund në vit, ndërsa nëse të gjithë shlyejnë dënimin e tyre, kostoja arrin në rreth 800 milionë paund.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), të rinjtë shqiptarë tërhiqen nga mundësitë në ekonominë informale, duke punuar në ndërtim, hoteleri, pastrime makinash apo berberë për rreth 100 paund në ditë.

Ndër të fundit të dënuarve ishin dy vëllezër shqiptarë për trafik të madh të kokainës, një trafikant i ri me armë dhe një bandë prej pesë shqiptarësh që kryenin vjedhje masive në Midlands dhe veri të Anglisë.

Ligjet e reja do të lejojnë deportime të menjëhershme për të huajt që marrin dënime mbi 12 muaj. Sipas marrëveshjes me Shqipërinë, fluturime deportimi drejt vendit të Ballkanit bëhen pothuajse çdo javë. Javën e kaluar, 50 shqiptarë të dënuar ose kërkues azili të refuzuar u deportuan me një total dënimesh prej gati 70 vjetësh.

Shabana Mahmood, Sekretarja e Brendshme britanike, ka deklaruar se qeveria do të intensifikojë deportimet për të rikthyer rendin dhe kontrollin.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel