Armëpushimi 2-javor në Lindjen e Mesme, reagon presidenti iranian: Marrëveshja përputhet me kërkesat tona
Shefi i Elizesë, Emmanuel Macron ishte ndër liderët e parë botërorë që reaguan ndaj arritjes së marrëveshjes së pushim zjarrit mes SHBA-së dhe Iranit.
Edhe pse pakti është i përkohshëm, për presidentin francez, ai përbën sërish një zhvillim mjaft pozitiv. Por Macron këmbënguli që marrëveshja të përfshijë edhe Libanin.
“Është e një rëndësie kyçe që armëpushimi dyjavor të përfshijë edhe ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Libanit. Situata atje është kritike. Ajo që kemi parë me sulmet izraelite dhe pushtimin e jugut të Libanit nuk është përgjigjja e duhur”, shprehet Emmanuel Macron, lideri i Francës.
Qëndrimin e tij e mbështeti edhe Madridi zyrtar.
“Spanja e konsideron të papranueshëm vazhdimin e pushtimit të Libanit nga forcat izraelite pas arritjes së marrëveshjes për një armëpushim dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Të gjitha frontet e konfliktit duhet të mbyllen, dhe këto fronte përfshijnë edhe Libanin. Nuk mund të pranohet që të vazhdojë pushtimi i një shteti sovran si Libani”, shprehet Jose Manuel Albares, ministër i jashtëm i Spanjës.
Kryeministri Pedro Sanchez gjithashtu e mirëpriti armëpushimin si “një lajm pozitiv”, por shtoi megjithatë se Spanja “nuk ka ndërmend të duartrokasë ata që kanë ndezur zjarrin e botës vetëm sepse shfaqen me një kovë ujë.” Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen insistoi që nisma e hedhur në letër, të përcillet tani edhe me hapa konkretë.
“E mirëpres armëpushimin dyjavor të arritur natën e kaluar nga SHBA dhe Irani, i cili sjell një shtensionim të domosdoshëm të situatës. Tani është thelbësore që negociatat për një zgjidhje afatgjatë të këtij konflikti të vazhdojnë. Ne do të vijojmë të koordinohemi me partnerët tanë për këtë qëllim.”, deklaroi Ursula Von Der Leyen.
Sipas mediave iraniane, kreu i parlamentit atje Mohammad Bagher Ghalibaf është caktuar tashmë si kryenegociator i Teheranit në bisedimet e parashikuara të mbahen të premten në Islamabad. Sipas agjencisë iraniane Isna, delegacionin e SHBA-së pritet ta drejtojë vetë zv/presidenti JD Vance.
Top Channel