Armëpushimi 2-javor në Lindjen e Mesme, reagon presidenti iranian: Marrëveshja përputhet me kërkesat tona
Greqia do të ndalojë qasjen në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç nga 1 janari i vitit 2027.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, përmes një postimi ne platformën TikTok.
“Prej vitesh dëgjohet i njëjti shqetësim nga prindërit: fëmijë që flenë keq, që kanë shumë ankth dhe që kalojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekranit”, shprehet Mitsotakis. Por të njëjtën lodhje dhe presion e përshkruajnë edhe vetë adoleshentët, të cilët ndihen të ekspozuar ndaj krahasimit, komenteve dhe nevojës për të qenë vazhdimisht online.
Sipas kryeministrit grek, shkenca është e qartë: kur një fëmijë kalon shumë orë para ekranit, truri nuk pushon. Për këtë arsye, qeveria greke do të sjellë ligjin përkatës për miratim gjatë verës së vitit 2026, me hyrje në fuqi në fillim të vitit 2027.
Mitsotakis theksoi se Greqia do të jetë ndër vendet e para që ndërmarrin një hap të tillë, por paralajmëroi se qëllimi nuk është largimi i fëmijëve nga teknologjia. Siç u shpreh ai, problemi qëndron te mënyra se si disa aplikacione janë projektuar për të mbajtur sa më gjatë vëmendjen e të miturve dhe për të kthyer kohën e tyre në burim fitimi.
Në Greqi është ndaluar tashmë përdorimi i celularëve në shkolla dhe janë krijuar platforma për kontroll prindëror, ndërsa sipas një sondazhi të publikuar në shkurt, rreth 80 për qind e qytetarëve mbështesin ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit.
Pak më vonë, kryeministri grek i dërgoi një letër Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar një kuadër të përbashkët europian për mbrojtjen e të miturve nga varësia digjitale.
Në letër, ai propozon pesë masa kryesore si: verifikim të unifikuar të moshës në nivel europian, përdorim të detyrueshëm të këtij mekanizmi nga të gjitha platformat, vendosjen e një “moshe madhore dixhitale” në 15 vjeç, verifikim të përsëritur çdo gjashtë muaj dhe një mekanizëm të përbashkët kontrolli e sanksionesh ndaj kompanive që nuk zbatojnë rregullat. Pas Australisë, edhe shtete si Britania, Spanja, Sllovenia dhe Austria, po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Top Channel