“Ligji i pastrimit të parave ka dalë jashtë loje, mafia shqiptare e dyta pas Ndraghetës”, Manja përplaset me Bylykbashin te Ligjet: E ke kasetën e gatshme për përgjigjen ti

07/04/2026 13:52

Komisioni i Ligjeve, aty ku u diskutua për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, solli debate mes kryetarit Ulsi Manja dhe anëtarit Oerd Bylykbashi, në momentin që po votohej në tërësi.

Bylykbashi ka përmendur mafiat shqiptare, teksa duke cituar prokurorin e anti-mafias në Itali, tha se Shqipëria në renditje është e dyta, pas Ndraghetës.

Pas kësaj deklarata Manja i’u përgjigj, duke thënë se “opozita e ka kasetë të gatshme” këtë deklaratë.

Oerd Bylykbashi: Ky ligj i pastrimit të parave 2008 është miratuar kur kemi qenë ne në mazhorancë. Ligji ka prodhuar efektet e tij në atë kohë, por sot e shtrëngojmë në mënyrë periodike, nuk është hera e parë që ndërhyjmë. Gjejmë gjithmonë e më shumë faktin që ligji forcohet, tek rrjeta e ligjit mbeten elementë të vegjël ose ata që s’kanë lidhje, sidomos me pastrimin e parave. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri, në sy të të gjithëve në Tiranë, por në të gjithë bregdetin e Shqipërisë është treguesi më i pastër i pastrimit masiv të parave. A është kjo vetëm ajo që themi ne?!

Po dalin raporte, do të dalë një tjetër raport tani, që flitet për këtë çështje, për Shqipërinë. Dhe është një nga arsyet pse ky lloj niveli po shtyn BE-në të frenojë procesin e anëtarësimit. Pavarësisht se nuk jeni dakord ju, e dimë ne se çfarë po ndodh. Pra në këtë moment i janë vënë frenat dhe një nga arsyet është pastrimi gjigant i parasë së krimit të organizuar, kryesisht të trafiqeve të narkotikëve nga kartelet e drogës, të cilat i kanë themelet këtu, nuk janë bijëza organizatash, janë organizata konkurruese.

Sipas prokurorit italian të anti-mafias, mafia shqiptare është e dyta pas Ndraghetës, që e dinë të gjithë që është më e pasura, më e fuqishmja dhe më e rrezikshmja. Ajo që po ndodh këtu është një histori e pastër, me çelës të drejtpërdrejtë te tavolina e kryeministrit. Është e njëjta mënyrë e mosfunksionimit të ligjit që nuk është i keq. Është e njëjta mekanizëm, shmangie totale e një ligji që me problemet e veta nuk ka funksionuar keq të gjithë sistemit të Prokurimit Publik. Ajo që kemi parë në rastin Balluku është ekzakt ajo që ndodh me këtë.

Ulsi Manja: Ju lutem përmbylleni zoti Bylykbashi. Je në shkelje të rregullores.

Oerd Bylykbashi: Po e mbaroj zoti kryetar. E mbarova, se jemi tek votat ne. Jo nuk jam në shkelje të rregullores sepse do të ishte bërë diskutim.

Ulsi Manja: Kush ta pengoi fjalën? Unë jam në votimin në tërësi, nuk të pengova të flasësh.

Oerd Bylykbashi: Nuk kemi gjë në parim kundër ndryshimeve. Kemi rastin kur një kornizë e tërë ligjore del nga loja sepse vullneti politike e bën kështu. Kështu është edhe rasti konkret.

Ulsi Manja: Ne ishim në votimin në tërësi të projekt-ligjit, zoti Bylykbashi e di që në këtë fazë nuk lejon ndërhyrje. Zoti Mehmeti (i drejtohet zv.ministrit), nuk është nevoja t’i përgjigjeni Bylykbashit se e ka kasetë të gatshme këtë opozita. Për negociatat do të presim prillin, do ta marrë përgjigjen opozita dhe qytetarët. Ne nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me opozitën, sigurisht që nuk e mbajmë. A ka mundësi të na lini rehat të gjithë. Këta e kanë gati këtë retorikë politike do e kenë tek mbledhja nesërme, edhe ditën e enjte.

Top Channel