Tenderat/ 148 të akuzuar në 2 vite, në skanerin e SPAK dhjetëra institucione dhe projekte, disa rezultojnë “minierë” për abuzuesit

06/04/2026 19:32

Tenderat rezultojnë të jenë një “minierë ari” për përfituesit e paligjshëm.

Ky rezultat del bazuar në dosjet e hetuara te SPAK duke nisur nga zbulimet për ndërtimin e ujësjellësve, abuzimet studimore në universitetin bujqësor apo KESH, prokurorimet për ndërtimin e komisariateve, palestrat e shkollave, ndriçimi, AKSHI, rrugët rurale nën administrim të bashkive deri tek akset e tunelet nën kompetencë të  ARRSH, dhe fondet e BE në agjencinë SASPAK.

Rezulton se nga 2024 u vendosën në akuzë për shkelje të barazisë në tendera 148 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, drejtues institucionesh dhe departamentesh deri tek ish zv.kryeministrja.

Megjithëse për secilën nga dosjet e hapura për shkelje të barazisë në tendera vijojnë edhe hetimet pasurore, deri më tani vetëm në 3 raste rezultojnë të sekuestruara pasuri dhe llogari bankare kryesisht të shoqërive tregtare, të hapura për të realizuar punimet fiktive dhe transaksionet.

Duke ju përgjigjur interesimit të Top Channel rreth hetimeve për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera prokuroria e posaçme deklaron se vetëm për 2025 iu dorëzuan gjykatës antikorrupsion pasi janë marrë të pandehur 53 anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave

Këndvështrimi i SPAK për tenderat reflektohet në raportet e ndryshme ku citohet se korrupsioni zhvillohet në një terren kompleks përmes manipulimit të procedurave publike dhe shfrytëzimit të pozicioneve zyrtare për përfitime personale. SPAK thotë në këto raportime se tenderat publikë përdoren si mjet për shpërndarjen e paligjshme të fondeve.

Kjo situatë ka sjellë ngërç në përfshirjen e anëtarëve të KVO (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave) në tendera për shkak të hetimeve që po kryhen.

Sipas SPAK shkelja e barazisë në tendera krijon avantazh artificial për subjekte të caktuara duke ndikuar negativisht në konkurrencën e ndershme dhe në cilësinë e projekteve publike.

 

Top Channel