Si një film lufte/ Mesazhe të koduara dhe bombardime, prapaskenat e shpëtimit të pilotit amerikan në Iran

06/04/2026 15:20

Një operacion shpëtimi që ngjan me skenat e një filmi lufte është zhvilluar në Iran, ku një pilot amerikan i rrëzuar u gjet dhe u nxor nga zona pas orësh të tëra kërkimesh intensive.

Piloti ishte fshehur në një zonë shkëmbore, i plagosur dhe në një terren të vështirë malor rreth 2 mijë metra mbi nivelin e detit. Forcat amerikane përdorën helikopterë, dronë, satelitë dhe njësi speciale për ta lokalizuar, ndërsa nga ana tjetër edhe ekipet iraniane ishin në kërkim të tij.

Sipas raportimeve, piloti përdori sinjale të ndërprera për të mos u zbuluar lehtësisht. Ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun që sinjalet mund të interceptoheshin dhe të përdorej si kurth ndaj forcave të shpëtimit.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e konsideroi gjetjen e pilotit si një sukses të rëndësishëm, duke e përdorur edhe si mesazh force ndaj Iranit. Paralelisht, inteligjenca amerikane përhapi informacione të rreme për të çorientuar kundërshtarin, duke pretenduar se piloti ishte evakuuar me rrugë tokësore drejt Irakut.

Operacioni përfshiu njësi elitare si ‘Navy SEALs’ dhe ‘Delta Force’. Në errësirë, forcat ajrore, me mbështetje edhe nga Izraeli, goditën objektiva në terren për të lehtësuar ndërhyrjen, por shmangën përplasjet direkte.

Pas gjetjes, piloti u transportua menjëherë me helikopter. Megjithatë, situata u komplikua kur dy avionë transporti C-130 mbetën të bllokuar në rërën e një piste të improvizuar. Raportimet janë kontradiktore: disa burime thonë se u shkatërruan nga vetë amerikanët, ndërsa të tjera pretendojnë se u goditën gjatë evakuimit.

Media iraniane publikuan pamje të avionëve të djegur në terren, duke shtuar misterin mbi atë që ndodhi realisht.

Në fund, Trump reagoi sërish me tone të ashpra në rrjetet sociale, duke shpallur suksesin e operacionit dhe duke lëshuar paralajmërime të forta ndaj Iranit.

Top Channel