Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e përshkroi si konstruktiv takimin me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin tha ishte përqendruar kryesisht te zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Diskutimet, që zgjatën rreth dy orë, kishin në fokus situatën politike të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili mundëson vazhdimin e seancave plenare në Kuvend. Kurti e bëri të qartë se koha për zgjedhjen e presidentit është e kufizuar dhe kërkon përpjekje maksimale.

“Na kanë mbetur edhe tre javë deri tek zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimalizojmë përpjekjet. Qëllimi i përbashkët është shmangia e zgjedhjeve të reja”, tha Kurti.

Kurti theksoi se për një zgjedhje të bindshme të kreut të shtetit nevojitet një shumicë më e madhe, rreth 84 apo 85 deputetë pasi 80-81 sipas tij, nuk është e mjaftueshme. Synimin për të shmangur një shkuarje të re në zgjedhje e la të kuptohet edhe Abdixhiku, i cili argumentoi se një fushatë e tillë nuk do të sillte ndryshime të mëdha ndërsa tha po vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje përmes dialogut. Ai theksoi se një parti nuk mund të ketë tre postet kyçe dhe kujtoi se mungesa e një ujdie, do t’i bënte të pashmangshme zgjedhjet e reja.

Kurti shprehu optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje politike në ditët në vijim dhe paralajmëroi se do të ketë takim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

Ndër të tjera ai tha “Ne jemi udhëheqës të subjekteve demokratike dhe jemi transparent sa i përket procesit. Ne duhet të ruajmë konfidencialitetin, kur propozimet sjellin finalizim konkret do e bëjmë me dije. S’mund të flasim për mendime. Përderisa jemi në këtë fazë, do ju njoftojmë për takimet që bëjmë, por jo për emrat për sa kohë nuk ka një marrëveshje“, tha ai.

Top Channel