Ish-ministrja e Jashtme në krah të protestës për gjuhën shqipe në RMV, Spiropali: Një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja

06/04/2026 10:23

Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kjo është një çështje thelbësore që nuk duhet të vihet në diskutim.

Në një reagim në rrjetet sociale, ish-ministrja e Punëve të Jashtme, shprehet se ‘një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja’, ndërsa thekson se gjuha shqipe është një e drejtë themelore dhe jo një çështje kompromisi.

Një vijë e hollë e ndan dinjitetin nga heshtja. Kështu ka qenë ngahera.

Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet.

Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri.

Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional.

Është e drejtë themelore.

Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore.

Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij.

Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë.

Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim.

Sidomos për dy vende mike 🇦🇱🇲🇰, që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët“, shprehet ajo.

Top Channel