Fshati që do ujë dhe drita/ Në Mal të Martaneshit banorët tregojnë problemet: Energjia erdhi, por nuk kemi ujë. Na ndihmoni

06/04/2026 13:12

Në zemër të zonës së Martaneshit, në Bashkinë Bulqizë, ndodhet fshati Val, një vend me traditë dhe potencial të madh për zhvillim.

Për shumë vite, ky fshat u përball me një realitet të vështirë, mungesën e energjisë elektrike për rreth dy dekada.

Kjo situatë çoi në braktisjen graduale të tij, duke detyruar banorët të largohen në kërkim të kushteve më të mira jetese.

Sot, pas rikthimit të energjisë elektrike, një dritë shprese është ndezur sërish për Valin.

Disa nga ish-banorët kanë filluar të rikthehen, të rindërtojnë shtëpitë e tyre dhe të ringjallin jetën në këtë zonë.

Por, ndonëse energjia elektrike është rikthyer, një tjetër problem madhor vazhdon të rëndojë mbi ta, mungesa e ujit të pijshëm.

Mungesa e një sistemi të furnizimit me ujë e bën jetën në fshat tepër të vështirë dhe rrezikon që rikthimi i banorëve të mbetet i përkohshëm

“Prej 6 vjetësh po pimë ujë liqeni dhe se kemi frikë se po helmohemi”, shprehet banori.

“E vetmja shpresë për ne thonë ata është burimi i këtij ujit por që duhet investim nga ana e bashkisë për ndërtimin e ujësjellësit”, shprehet banori tjetër.

Banorët presin që zëri i tyre të dëgjohet dhe që institucionet të reagojnë, për t’i dhënë këtij fshati mundësinë që të jetojë dhe të zhvillohet siç e meriton.

Top Channel