Bizneset rrisin borxhet ndaj shtetit, nuk paguajnë tatimin mbi fitimin dhe sigurimet shoqërore

06/04/2026 15:20

Borxhi që bizneset i kanë shtetit në formën e taksave të papaguara u rrit edhe më shumë në vitin 2025.

Shpresat në pritje për paqen fiskale dhe falja e detyrimeve tatimore dhe doganore i nxitën subjektet të shtonin detyrimet e papaguara ndër vite.

Raporti vjetor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve vë në dukje se borxhi tatimor deri një vit më parë arriti në 194 mld lekë apo 1.9 mld euro.

Është tatimi mbi fitimin I bizneseve që zë dhe pjesën më të madhe të borxhit me rreth 69 mld lekë, ndjekur nga TVSH 64 mld lekë, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore 26 mld lekë. Pas nuk mbetet as tatimi në burim tatimi mbi të adhuruat personale si dhe DIVA.

Mosha e detyrimeve më të mëdha janë ato mbi 5 vjet ndërsa më pak borxhet 6 muaj deri në 1 vit. (foto) Por çfarë e rëndon edhe më shumë këtë borxh janë bizneset, tashmë të mbyllura të cilat nuk i kanë shlyer borxhet ndaj shtetit.

Tatimpaguesit Pasivë zënë 59% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 127 mld lekë ose 66% të vlerës totale të borxhit.”, thotë Drejtoria E Përgjithshme e Tatimeve.

Ndaj këtij borxhit ajo që bie në sy është përpjekja e bizneseve për të vijuar punën në të zezë sa i përket pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Detyrimi i papaguar për zërin Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 13.5% në vlerë 26.29 mld lekë.”, thotë me tej Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Kjo vlerë rritet edhe për shkak të pamundësisë së bizneseve për t’i paguar pavarësisht reformave antiinformalitet si dhe hapjes së çështjeve gjyqësore duke vonuar kështu pagesat. Pasojat direkte në mospagimin e detyrimeve janë në kurriz të qytetarëve, më shumë taksa të paguara duhet të përkthehen në më shumë shërbime, gjithashtu dëmtimi direkt i skemës së sigurimeve shoqërore për mospagimin e kontributeve, duke paralizuar kështu pensionistët.

DETYRIMET E PAPAGUARA NDËR VITE

(Burimi: Drejtoria e Tatimeve)

2023      155 mld lekë

2024       162 mld lekë

2025       194 mld lekë

LLOJET E DETYRIMEVE TË PAPAGUARA

(Burimi: Drejtoria e Tatimeve)

Tatimi mbi fitimin                                35.5%

TVSH                                                    32.9%

Sigurimet shoq.shënd.                          13.5%

Tatimi në burim                                    3.6%

TAP                                                        1.5%

DIVA                                                      0.5%

Të tjera                                                  12.5%

 

Top Channel