Zelensky mban shpresën tek Erdogan/ Pas sulmeve të ashpra ruse, presidenti i Ukrainës vizitë zyrtare në Stamboll

05/04/2026 11:07

Pas mbërritjes në Turqi, Zelensky deklaroi se janë duke punuar për të forcuar partneritetin me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, avancimin e stabilitetit dhe garantimin e sigurisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, duke theksuar se përpjekjet e përbashkëta japin gjithmonë rezultatet më të mira.

Vizita e tij është bërë pas sulmeve ruse të dy ditëve më parë në Ukrainë, të cilat lanë të vrarë pesë persona dhe plagosën rreth 30 të tjerë.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 286 dronë, prej të cilëve 260 u rrëzuan. Në qytetin Nikopol në rajonin e Dnjipropetrovskut, u vranë pesë persona, ndërsa 19 të tjerë, përfshirë një vajzë 14-vjeçare, u plagosën.

Ndërkaq, në Sumy, pranë kufirit me Rusinë, një tjetër goditje plagosi 11 persona, mes tyre një 15-vjeçar, duke shkaktuar dëme në zona banimi, shtëpi, makina dhe rrjete infrastrukturore.

Në kryeqytetin Kiev, një sulm me dron shkaktoi zjarr në katin e parë të një ndërtese trekatëshe që shërbente si zyrë dhe depo, por nuk pati viktima.

Top Channel