Tentoi të vriste 42-vjeçarin me armë pas konfliktit për motive të dobëta, arrestohet pas më shumë se një viti në arrati autori

05/04/2026 12:04
Foto Ilustruese

Një 27-vjeçar është vënë në pranga pasi tentoi të vriste me armë zjarri një person në Fier, pas konfliktit për motive të dobëta.

Autori e qëlloi me armë 42-vjeçarin, e më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Që prej 5 janarit të vitit të kaluar ai ndodhej në arrati.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier bënë të mundur ndalimin e shtetasit K. B., 27 vjeç, banues në Fier, i shpallur më parë në kërkim.

Nga hetimet rezulton se ky shtetas, më datë 05.01.2025, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin G. H., 42 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Për këtë rast, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njofton policia.

Shtetasi K. B., u ndalua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Top Channel