Fund tragjik për një 68-vjeçar nga Durrësi, i arrestuar pak javë më parë për dhunë në familje.
Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, Hajri Robi ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, ku ishte i shtruar në reanimacion.
Ai u arrestua më 12 mars, pasi ushtroi dhunë ndaj njërës prej motrave të tij, e cila kishte shkuar për t’i ndihmuar në shtëpinë ku 68-vjeçari jetonte me një tjetër motër të sëmurë. 12 vite më parë tentoi të vetëdigjej me benzinë në qendër të qytetit. Të njohurit e tij thonë se u kthye nga emigrimi në gjendje depresive dhe gjendja e tij u rëndua ndër vite.
Në shtëpinë e familjes, këtë pasdite mbizotëron heshtja, ndërsa fqinjët tregojnë sfidat e tij.
“Janë familje shumë e mirë. Njerëz shumë të urtë e pozitivë. Motrat janë kujdesur gjithë jetën për të, po ai ka qenë me probleme mendore. Është trajtuar, po kohët e fundit degradoi shumë. Arriti dhe vuri dorë mbi të dyja motrat. Njërën motër e ka të sëmurë. Të dyja janë kujdesur në maksimum.
Me të tjerët në lagje nuk kishte probleme, gëzonte respekt. I kishte problemet vetëm me veten, po tani në fund edhe me familjarët. Ai tani i mbylli të gjitha. Na vjen keq.”
Pas arrestimit në mars, gjykata caktoi për të mjekim të detyruar. Fillimisht u transferua në burgun e Lezhës dhe më pas në spitalin e burgjeve, por gjendja e tij u përkeqësua në fillim të muajit dhe u dërgua në QSUT po u nda nga jeta për shkak të një arresti kardio-respirator dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese.
Rasti i Robit kthen sërish në vëmendje sfidat e personave me probleme të shëndetit mendor, familjeve të tyre dhe domosdoshmërinë e mbështetjes institucionale për familjet dhe personat që përballen me to dhe dhunën në familje.
Top Channel