U dënua me burg të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, Kushtetuesja zbardh vendimin pas rihapjes së çështjes së Arben Frrokut 

03/04/2026 16:40

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për Arben Frrokun pasi la në fuqi dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj.

Pak javë më parë Kushtetuesja la në fuqi vendimet e mëparshme duke gjetur të duhur fajësimin e Arben Frrokut dhe ndaj vulosi përfundimisht dënimin e përjetshëm të tij për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Vendimi u dha nga Kushtetuesja pasi pranoi kërkesën e Frrokut për rihapje të procesit, ashtu siç kishte urdhëruar Gjykata e Strasburgut.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Frrokut, që vazhdon të jetojë në Hollandë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shfuqizojë vetveten mbi një vendim të 2018-ës dhe në përfundim nuk ka pranuar kërkesën për rigjykim nga një trup tjetër, duke i quajtur Kushtetueses verdiktet e dënimit.

“Po ashtu, mbajtëm në konsideratë edhe jurisprudencën e Gjykatës, sipas së cilës, standardi i arsyetimit është i lidhur edhe me respektimin e të drejtës së aksesit në gjykim dhe të drejtën e ankimit efektiv dhe se në rastet kur kërkuesi nuk merr përgjigje për pretendimet e tij me natyrë kushtetuese, për shkak të vendimit të mospranimit të rekursit, atij i cenohet jo vetëm standardi i arsyetimit të vendimit, por edhe e drejta e aksesit, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës, si dhe e drejta e ankimit në kuptimin substancial, e parashikuar në nenin 43 të Kushtetutës (shih vendimet nr. 58, datë 13.11.2023; nr. 45, datë 03.07.2017 të Gjykatës Kushtetuese).

Kontrolli i respektimit të standardeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, ka theksuar Gjykata, është funksion edhe i gjykatave të zakonshme dhe, në mënyrë të veçantë, i Gjykatës së Lartë (shih vendimin nr. 67, datë 05.11.2025; nr. 20, datë 11.04.2025; nr. 6, datë 16.02.2021 të Gjykatës Kushtetuese), e cila, në kuadër të parimit të subsidiaritetit, që udhëheq raportet ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe juridiksionit të gjykatave të zakonshme, duhet të investohet në ekzaminimin e pretendimeve të natyrës kushtetuese të ngritura në rekurs dhe të mbajë një qëndrim të shprehur për to (shih vendimet nr. 27, datë 29.05.2025; nr. 5, datë 29.01.2025; nr. 11, datë 16.04.2018 të Gjykatës Kushtetuese).

Pikërisht referuar këtyre standardeve kushtetuese dhe konventore, në vlerësimin tonë, mosdhënia e një përgjigjeje të arsyetuar nga Gjykata e Lartë për pretendime me natyrë kushtetuese, nuk i jep mundësi Gjykatës të vlerësojë bazueshmërinë në themel të pretendimeve të tilla, pikërisht për sa kohë që, në respektim të parimit të subsidiaritetit, ato nuk janë shqyrtuar dhe vlerësuar më parë nga gjykatat e zakonshme, të cilat, për pasojë, nuk i kanë siguruar individit një përgjigje të arsyetuar dhe përfundimtare në lidhje me to. Një qasje të tillë Gjykata e ka mbajtur në vijimësi në të gjitha ato raste kur Gjykata e Lartë nuk ka mbajtur një qëndrim të shprehur dhe të arsyetuar për pretendimet me natyrë kushtetuese të ngritura në rekurs, të cilat, në kontekst të rrethanave konkrete, nuk dukeshin haptazi të pabazuara dhe që, për këtë arsye, kërkohej një përgjigje e arsyetuar prej saj, në përmbushje të rolit si gjykatë ligji.

Ky standard merr rëndësi edhe më të shtuar në procesin penal, sidomos kur çështja lidhet me vlerësimin e deklarimeve të dëshmitarëve dhe me standardin e të provuarit tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Në këtë drejtim, GJEDNJ-ja ka theksuar se kur një gjykatë apeli është thirrur të shqyrtojë çështjen në fakt dhe në ligj dhe të vlerësojë në tërësi çështjen e fajësisë ose të pafajësisë, ajo nuk mund, për arsye të rregullsisë së procesit, të vendosë për këto çështje pa një vlerësim të drejtpërdrejtë të deklarimeve të dëshmitarëve. Në veçanti, kur gjykata e apelit përmbys një vendim pafajësie, duke u larguar nga vlerësimi i gjykatës së shkallës së parë për sa i përket besueshmërisë së dëshmitarëve kyç, ajo nuk mund të mjaftohet me leximin e deklarimeve të tyre të pasqyruara në procesverbale, pasi vlerësimi i besueshmërisë së një dëshmitari është një veprimtari komplekse që, normalisht, nuk mund të kryhet nëpërmjet një leximi të thjeshtë të përmbajtjes së deklarimeve të tij. Përjashtimisht, një qasje e tillë mund të justifikohet vetëm kur ekzistojnë pengesa objektive që e bëjnë të pamundur dëgjimin personal të dëshmitarit, gjë që duhet të rezultojë konkretisht nga rrethanat e çështjes (shih Dan kundër Moldavisë, nr. 8999/07, 2011, §§ 30-33; Lorefice kundër Italisë, nr. 63446/13, 2017, §§ 36-46).

Për rrjedhojë, në rastin konkret, mendojmë se Gjykata e Lartë nuk ka vepruar në përputhje me rolin dhe funksionin e saj për kontrollin edhe të kushtetutshmërisë së procesit gjyqësor të zhvilluar nga gjykata e apelit. Për më tepër kur në këtë rast ndodhemi edhe përpara dy vendimeve diametralisht të kundërta të gjykatave të faktit, të cilat, mbi të njëjtat prova, kanë arritur në përfundime tërësisht të kundërta në drejtim të standardit të të provuarit tej çdo dyshimi të arsyeshëm. Në situata të ngjashme, Gjykata ka vlerësuar se në kushtet kur për çështjen e fajësisë së kërkuesit kishte dy vendime diametralisht të kundërta dhe pretendimet e tij përfshiheshin brenda juridiksionit të Gjykatës së Lartë, kjo e fundit, në respektim të standardit të arsyetimit të vendimit, duhet t’u kishte dhënë përgjigje dhe të shprehej për to, në respektim të rolit të saj kontrollues dhe parimit të subsidiaritetit (shih vendimin nr. 67, datë 10.11.2017 të Gjykatës Kushtetuese).

Edhe në këndvështrimin e standardeve të GJEDNJ-së, një situatë e tillë kërkonte që Gjykata e Lartë të tregonte, së paku, përmes një minimumi arsyetimi, se pse pretendimet e kërkuesit, që lidhen me besueshmërinë e provës kyçe, me mungesën e provave mbështetëse, me mosmarrjen në konsideratë të provave shfajësuese dhe me standardin e prezumimit të pafajësisë, ishin të papranueshme ose haptazi të pabazuara. Ndaj edhe në këtë këndvështrim, si dhe duke pasur në konsideratë llojin më të rëndë të dënimit me burgim të caktuar ndaj kërkuesit, Gjykata e Lartë duhet të kishte treguar kujdes të shtuar, për të mbajtur qëndrim të shprehur për pretendimet me natyrë kushtetuese të ngritura në rekursin e tij.

Në këto kushte, arsyetimi i Gjykatës së Lartë se rekursi i kërkuesit nuk përmban shkaqe nga ato që parashikonte neni 432 i KPP-së, nuk mund të konsiderohet një arsyetim i kufizuar që plotëson standardet kushtetuese në këtë drejtim dhe as standardet konventore të nenit 6 të KEDNJ-së, ndërsa kjo mënyrë arsyetimi nuk të jep mundësi për të verifikuar sesi ajo gjykatë ka vlerësuar shkaqet e rekursit, duke arritur në përfundimin se ato nuk përfshiheshin në rastet për të cilat ligji procedural lejonte rekurs apo se ato ishin haptazi të pabazuara. Një formulë e tillë e zhveshur nga arsyetimi nuk lejon të kuptohet nëse Gjykata e Lartë ka identifikuar natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura, nëse i ka shqyrtuar ato realisht dhe përse ka arritur në përfundimin se ato nuk kërkonin shqyrtim të mëtejshëm. Në këtë kuptim, vendimi i Gjykatës së Lartë, që ka vendosur mospranimin e rekursit të kërkuesit pa një arsyetim real për natyrën dhe trajtimin e pretendimeve të ngritura në të, e ka bërë aksesin e kërkuesit në atë gjykatë vetëm formal, por josubstancial dhe efektiv.

Për sa më lart, mbajtëm qëndrimin se i takonte Gjykatës së Lartë që të ndalej, më së pari, në vlerësimin e pretendimeve në rekurs të kërkuesit, duke mbajtur një qëndrim të shprehur për to dhe duke arsyetuar nëse ato përfshiheshin ose jo në ndonjë nga rastet e parashikuara nga neni 432 i KPP-së apo nëse ishin haptazi të pabazuara. Mospranimi i rekursit nga Gjykata e Lartë në rastin konkret, duke u mjaftuar vetëm me shqyrtimin de plano të çështjes dhe me arsyetimin e kufizuar për papranueshmërinë e tij, në vlerësimin tonë, nuk përmbush standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor, për pasojë cenon edhe të drejtën e kërkuesit për akses në Gjykatën e Lartë. Për rrjedhojë, kërkesa e kërkuesit duhej të ishte pranuar”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Frroku fillimisht u shpall i pafajshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për ekzekutimin e zyrtarit të policisë që në shkurtin e 2013-s u vra barbarisht në afërsi të banesës së tij.

Hetimet i adresuan Arben Frrokut akuzën e ekzekutimit të Dritan Lamajt, ish-shef i komisariatit të Kombinatit, që kishte pasur përplasje me dyshuarin dhe për këtë shkak ishte dërguar si specialist i thjeshtë në Policinë e Shtetit.

Prokuroria deklaroi në atë kohë se Lamaj u qëllua nga një makinë e vjedhur prej Enver Stafukës dhe Gentjan Bejtjes, ndërkohë që Bejtja u vra në fund, kurse Stafuka u arrestua në 2015.

Si ekzekutor të kryekomisarit, prokuroria identifikoi Arben Frrokun, i cili u dënua me burg të përjetshëm në apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë, të dyja këto vendime të lëna në fuqi edhe nga Kushtetuesja.

Top Channel