Amerikanët konfirmojnë rrëzimin e avionit luftarak F-15 nga iranianët, fati i ekuipazhit nuk dihet
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump mbi të ardhmen e NATO-s dhe raportet me aleatët evropianë, duke theksuar se Evropa nuk ka interes të ndjekë një rrugë të ndarë nga Shtetet e Bashkuara, por duhet të mbrojë interesat e saj kombëtare.
Duke folur për televizionin RAI, Meloni u shpreh: “Unë vazhdoj të besoj se në fushën gjeopolitike Evropa ka pak për të fituar nga një rrugë e ndryshme nga SHBA. Megjithatë, puna jonë është të mbrojmë interesat tona kombëtare. Kur nuk pajtohemi, duhet ta themi. Dhe këtë herë, nuk pajtohemi.”
Në të njëjtën kohë, kryeministrja italiane njoftoi një seri vizitash në rajonin e Gjirit Persik, të cilat i cilësoi si një gjest solidariteti ndaj vendeve mike, por edhe si përpjekje për të garantuar furnizimet energjetike për Italinë. Ajo kujtoi se më herët kishte vizituar Algjerinë për çështjen e gazit natyror, ndërsa tani fokusi i bisedimeve në Gjirin Persik është nafta, nga ku Italia siguron rreth 15% të nevojave të saj.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme politike, Meloni përjashtoi mundësinë e një riorganizimi qeveritar pas humbjes së referendumit për reformën në drejtësi. “Këto janë alkimi të qarqeve të pushtetit, që nuk i interesojnë askujt”, deklaroi ajo, duke hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje apo ndryshime në qeveri.
Top Channel