Kanabisi në depon e ish-drejtorit të burgut të Rrogozhinës, kush janë shtatë punonjësit e policisë që u pezulluan
“Expresso”, revista më e madhe në Portugali ka vendosur në kopertinën e numrit të kësaj të premteje Ruben Saraivën, i dënuar me burgim përjetë nga gjykata Lezhë për vrasjen e Ardian Nikulajt.
Gazetari Tiago Carrasco pas shumë muaj hulumtime sjell të shkuarën e Ruben Saraivës, i lindur në Portugali dhe emigruar me familjen në Londër kur ishte 8 vjeç.
“I lindur në Coimbra, djali i një futbollisti, përfundoi duke u rekrutuar në Angli nga një grup mafioz për të kryer një hakmarrje mes klaneve, e kërkuar nga një kod nderi i lashtë” shkruan Express në një shkrim të gjatë publikuar bashkë me fotot e Ruben Saraivës në shtatë faqe të kësaj reviste.

Ata që e punësuan theksohet në shkrim tani po paguajnë për vdekjen e tij. I izoluar prej dy vitesh në burg, ai kërkon ta vuajë dënimin në Portugali.
Shkrimi i plotë përthyer nga Top Channel.
Nga Tiago Carrasco
Qelitë në burgun e sigurisë së lartë Jordan Misja 313 në Tiranë janë të mbipopulluara, por Ruben Saraiva, 30 vjeç, ka një qeli vetëm për vete.
Ai është nën një regjim të veçantë që e pengon të ndërveprojë me të burgosur të tjerë: del në oborr për të vrapuar kur të gjithë të tjerët janë mbyllur në qeli, ha kur mensa zbrazet, përdor palestrën dhe dushet nën shoqërimin e tre rojeve.
Nuk merr vizita dhe nuk mund të përgatisë mbrojtjen me avokatin.
Pas dy vitesh izolimi, mezi kujton se çfarë është të bësh një bisedë: “Ju kërkoj të merrni parasysh jo vetëm faktet e këtij rasti, por edhe zërin e një njeriu që jeton prej dy vitesh në heshtje absolute në burg”, tha për EXPRESSO avokati i tij, Kutjim Cakrani.

“Kjo shkon përtej çdo norme apo procedure; ai trajtohet sot si skllevërit në shekullin XV.”
Ruben ka shumë kohë për të rikthyer në mendje ditën fatale të 19 prillit 2023, në Shëngjin, në veri të Shqipërisë, ndërsa përshkon qelinë e tij me pak hapa.
Ishte pikërisht në hapin e gjashtë, brenda barit të hotelit me pesë yje “Coral”, që vrasësi nxori pistoletën Zastava dhe e drejtoi drejt Nikulajt, pronarit dhe politikanit lokal, baba i katër fëmijëve.
Kamerat e sigurisë e tregojnë të hyjë i maskuar si korrier, me jelek të verdhë, doreza, helmetë dhe maskë kirurgjikale.
Biznesmeni ishte ulur vetëm në tavolinë, në telefon; mendoi se ishte një dërgesë dhe nuk reagoi. Sulmuesi qëlloi gjashtë herë – dy prej tyre, në kokë dhe në gjoks, rezultuan fatalë. “Ardiani ishte paralajmëruar dhe kishte shtuar sigurinë”, tha e veja, Rudina Nikulaj. “I vetmi vend ku ndihej i sigurt ishte hoteli i tij. Kamerat filmuan gjithçka.”
Vrasësi nuk ishte vetëm.
Një ekip bashkëpunëtorësh britanikë kishte vëzhguar viktimën për muaj të tërë. Njëri prej tyre dha sinjalin përfundimtar pak minuta para sulmit.
Ruben kishte mbërritur në Tiranë më 14 shkurt, ku u prit nga Edmond Haxhia, organizatori i planit.
Ai u vendos në një shtëpi në Kakarriq. Para vrasjes, u pa duke lëvizur pranë hotelit “Coral”, tashmë i përgatitur për krimin.
Pas sulmit, u largua me një skuter, hodhi armën në lumin Drin dhe u arratis drejt Greqisë.
U arrestua pas 19 ditësh në Marok dhe më pas u ekstradua në Shqipëri.
Ky krim lidhet me fenomenin e gjakmarrjes, të rrënjosur në kanun, një kod i lashtë shqiptar që rregullon nderin dhe hakmarrjen.
Ismail Kadare i kushtoi këtij kodi romanin “Prilli i Thyer”, ku përshkruhet cikli i pafund i gjakmarrjes.
Edhe prilli i Rubenit u “copëtua” nga plumbat e tij atë ditë.
Futboll dhe hakmarrje
Babai i tij, Clinton Saraiva, erdhi në Coimbra për të luajtur futboll. Ishte talent i madh, por u përfshi në jetën e shfrenuar të qytetit. Aty njohu Milu, me të cilën pati Rubenin.
Familja u zhvendos më vonë në Angli. Ruben pati një fëmijëri relativisht normale, por problemet nisën në adoleshencë: u kap me drogë, u dënua dhe më pas u përfshi në një sulm me thikë.
Familjarët besojnë se në burg ai u lidh me mafian shqiptare.

Në rrjetën e mafies
Jo vetëm familja Lekstakaj e braktisi Shqipërinë gjatë kaosit të fundviteve ’90. Midis viteve 1995 dhe 2000, rreth 200 mijë shqiptarë u larguan nga vendi drejt destinacioneve si Italia, Greqia, Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar. Ende duke u rimëkëmbur nga 40 vite tiranie dhe izolimi, vendi u përball në vitin 1997 me një kolaps ekonomik të paprecedentë të shkaktuar nga skemat mashtruese të investimit – dy të tretat e popullsisë kishin para të depozituara në skema piramidale që, kur u zbuluan, shkaktuan një humbje prej 1.2 miliardë eurosh, gjysma e PBB-së kombëtare.
Revoltat dhe trazirat shkaktuan rreth dy mijë viktima dhe grabitjen masive të depove të armëve: “Kjo bëri që 600 mijë armë të përhapeshin në gjithë vendin, mes tyre 250 mijë kallashnikovë”, shpjegon Philip Buckingham, autor i serisë televizive The Rise of the Albanian Mafia.
“Mosfunksionimi i shtetit çoi në ringjalljen e kanunit, të cilit më pas iu shtua drama humanitare në Kosovë. Ishte një stuhi e përkryer për lindjen e dhjetëra bandave të armatosura”.
Që në vitin 1997, një lider mafioz i quajtur Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i preu kokën një rivali dhe e shëtiti atë nëpër rrugët e Lushnjës. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për vrasjen me armë dhe me bomba të rreth 20 personave, trafik ndërkombëtar droge, zhvatje dhe akte terroriste, si sulmi me bombë ndaj stadiumit të futbollit të qytetit. Duke u mbështetur te kanuni, ai pretendonte se kishte themeluar bandën për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij.
“Kanuni përcakton që ekzekutimet duhet të ndjekin rituale dhe tradita të caktuara, por ajo që shohim vitet e fundit është përshtatja e tij me sofistikimin e grupeve kriminale”, thotë Glidona Daci, gazetare shqiptare e specializuar në krim dhe drejtësi.
“Deri në pikën që vrasjet për hakmarrje apo gjakmarrje nuk kryhen më nga vetë të përfshirët, por nga vrasës me pagesë”.
Këto klane të shumta kriminale – që më vonë u njohën si “Mafia Shqiptare” – u ndërkombëtarizuan falë emigrimit masiv. Shumë shpejt, krijuan aleanca me grupet më të mëdha mafioze në botë, si ‘Ndrangheta kalabreze apo kartelët e Amerikës së Jugut. Fillimisht u përqendruan në zhvatje, vjedhje, trafik marijuane dhe prostitucion, për të kaluar më pas në kontrollin e rrugëve ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe heroinës.
Grupet shqiptare u imponuan falë reputacionit të besueshmërisë, të ndërtuar mbi respektimin e Besës, fjalës së dhënë – një kod i shenjtë besimi dhe besnikërie i përfshirë edhe në kanun. “Nëse një mafioz shqiptar thotë se do të sjellë një ngarkesë në një ditë të caktuar, klientët e dinë që ai nuk do ta thyejë fjalën”, shpjegon Cunningham.
Shkelja e Besës zakonisht ndëshkohet me vdekje brutale.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shqiptarët kanë marrë kontrollin e rrugëve dhe tregjeve të zeza. Në trafikun e kokainës, ata dominojnë plotësisht: sot kontrollojnë një biznes mbi 5 miliardë euro. Ata menaxhojnë transportin nga portet e Ekuadorit deri në Roterdam apo Antuerp, dhe më pas në Britani. “Droga arrin me pastërti më të lartë dhe më e lirë, duke pushtuar shpejt tregun”, thotë Cunningham. Ata merren gjithashtu me trafik njerëzor, duke transportuar emigrantë me varka të vogla dhe duke i punësuar më pas në plantacione kanabisi.
“Kur një i ri shqiptar thotë se po shkon në Gjermani, zakonisht do të punojë në një fabrikë”, thotë Koloreto Cukali. “Kur thotë se po shkon në Spanjë apo në Britani, shpesh do të thotë se do të punojë në industrinë e kanabisit”. Sipas tij, grupet kriminale pastrojnë paratë në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Në sipërfaqe, vendi duket në lulëzim turistik, por në realitet po fryhet një “flluskë” e rrezikshme. “Çdo ndërtim bëhet me para droge. Një shtëpi këtu është më e shtrenjtë se në Milano”, thotë ai.
Rrjetet e tyre shtrihen edhe në Birmingham, ku familja Lekstakaj jeton prej 25 vitesh. Një raport i policisë së West Midlands ngre dyshime të forta se vrasja e Ardian Nikulajt mund të jetë financuar nga mafia shqiptare.
Sipas raportit, Edmond Haxhia kishte punuar si menaxher i një klubi nate në pronësi të një britaniku me origjinë shqiptare. Dokumenti përmend një hua prej 1.6 milionë paundësh dhe lidhje me krimin e organizuar.
Raporti përshkruan edhe si klientët drogoheshin për t’u vjedhur paratë nga kartat bankare. Megjithatë, provat nuk mjaftuan për të lidhur drejtpërdrejt vrasjen me krimin e organizuar, ndaj Ruben Saraiva u akuzua vetëm për gjakmarrje.
Asgjë në fëmijërinë e tij nuk e parashikonte këtë rrugë. Në Angli, prindërit u ndanë; ai bëri një jetë normale për disa vite, duke shkuar në shkollë dhe duke luajtur futboll. Por në adoleshencë filluan problemet.
Në moshën 17-vjeçare, u kap me drogë dhe u dënua me punë në komunitet. Fillimisht u përmirësua, por më pas plagosi me thikë një të ri dhe përfundoi në burg. Familjarët besojnë se aty u lidh me mafian shqiptare.
Pas lirimit, u deportua në Portugali. Familja mendonte se ai ishte në Lisbonë, pa e ditur që kishte shkuar në Shqipëri.
Gazeta EXPRESSO nuk arriti të konfirmojë detajet e deportimit.
Dihet vetëm se më 14 shkurt 2023 ai udhëtoi nga Londra në Tiranë, ku u prit nga Edmond Haxhia, i lidhur me rrjete kriminale shqiptare në Birmingham.

Gjak i përjetshëm
Gjatë gjithë procesit gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, Ruben Saraiva shpalli pafajësinë dhe nuk bashkëpunoi me autoritetet për identifikimin e autorëve moralë të krimit: “Prokuroria nuk arriti të provojë fajësinë e Ruben Saraivës ‘përtej çdo dyshimi të arsyeshëm’, që do të thotë ta provosh atë shkencërisht, për shembull me gjurmë gishtash në vendin e krimit, por edhe biologjikisht, me mostra flokësh apo gjaku”, argumenton avokati Kutjiam Cakrani. “Ruben nuk e mohoi që kishte qenë në Shqipëri në shoqërinë e një të dyshuari shqiptar, Edmond Haxhia, të cilin e kishte njohur në Angli, por mohoi çdo lidhje me ngjarjen”.
Megjithatë, kishte prova të forta. Së pari, policia shqiptare mori dëshminë e të fejuarës së Haxhias, për të cilën ai kishte marrë me qira skuterin e përdorur në arratisje. Ishte ajo që përfshiu për herë të parë portugezin në këtë histori. Më vonë, autoritetet zbuluan edhe ADN-në e Saraivës në një hixhab (vello islame) të gjetur në fugonin e kushëririt të familjes Lekstakaj, duke arritur në përfundimin se ai mund të ishte përdorur si një nga maskimet. Gjurmë biologjike të portugezit u gjetën gjithashtu në një çamçakëz të marrë nga shtëpia e Haxhias.
Pas arrestimit të Saraivës, policia britanike arrestoi në Angli anëtarët e dyshuar të ekipit të vëzhgimit: përveç Edmond Haxhias dhe Harry Simpson, edhe Harriet Bridgeman, 28 vjeç, Thomas Mithan, 35 dhe Steven Hunt, 50, të gjithë nga Bristol. Me përjashtim të gruas, e cila është në liri me kusht, të gjithë të tjerët ndodhen në burg në pritje të një vendimi për ekstradimin në Shqipëri. Kërkesa e drejtësisë shqiptare fillimisht u pranua, por u pezullua për shkak të një gabimi procedural.
Më 25 mars, portugezi priste vendimin në Gjykatën e Lezhës, i veshur me një kostum sportiv të zi, me gërsheta, brenda një kabine xhami dhe i shoqëruar nga disa roje, vetëm pak metra larg vejushës së viktimës.
Kur gjykatësi shpalli dënimin me burgim të përjetshëm – dënimi maksimal në Shqipëri – Ruben tundi kokën në shenjë mosdakordësie. Vendimi i shkallës së parë mund të apelohet.
“Jemi ende të lënduar nga fakti që Ardiani i trajtoi të gjithë britanikët që qëndruan në hotelin e tij si miq, kur në të vërtetë ata synonin ta vëzhgonin dhe më pas ta vrisnin”, tha familja e viktimës, e kënaqur me vendimin. “Jemi të shqetësuar për vonesën në ekstradimin e pesë të arrestuarve në Angli që nga viti 2023. Nuk do të ketë drejtësi të plotë për Ardianin dhe as paqe për familjen Nikulaj, nëse porositësit dhe financuesit e vrasjes nuk zbulohen dhe nuk vihen para drejtësisë”.
Drejtuesit e familjes Lekstakaj e mohuan përfshirjen në krim.
Megjithatë, gjaku vazhdoi të derdhej pas vrasjes së biznesmenit të Shëngjinit; tre muaj më vonë, në korrik, Nikolin Lekstakaj u vra teksa hynte në një minimarket për të blerë një pije, ndërsa në dhjetor 2023, u vra edhe kushëriri i Ardian Nikulajt, Entjan, në Lezhë, nga një grup i armatosur në një makinë me targa të vjedhura. Njëra nga vajzat e Ardian Nikulajt tha për Daily Mail se ajo dhe motra e saj jetojnë me frikën se një ditë, fëmijët e tyre mund të bëhen viktima të këtij konflikti: “Vazhdojmë të jetojmë me frikë dhe rrezik. Është një histori pa fund”.
Përmes avokatit të tij, Ruben Saraiva i shprehu gazetës EXPRESSO dëshirën për ta vuajtur dënimin në Portugali:
“Nisni procedurat e ekstradimit me qëllim që ai ta vuajë dënimin në Portugali, sepse jam i bindur se nëse Ruben Saraiva qëndron edhe pak kohë në burgjet shqiptare, nuk do të dalë prej andej i gjallë”, tha Cakrani.
Nuk ekziston asnjë marrëveshje ekstradimi, ndihme juridike të ndërsjellë apo transferimi të të dënuarve midis Portugalisë dhe Shqipërisë. Megjithatë, sipas Ministrisë së Jashtme portugeze, “do të shqyrtohen të gjitha mundësitë”. Diplomacia portugeze po e ndjek rastin dhe ka kërkuar informacione nga autoritetet shqiptare, si dhe ka nisur procedurat për mbrojtje konsullore.
Portugezi ka arsye të jetë i shqetësuar.
Sipas një burimi nga sistemi penitenciar, ekziston një shpërblim prej 500 mijë eurosh për këdo që e vret atë.
Porositësit e krimit kanë frikë se ai mund t’i zbulojë.
“Ata që e punësuan për të vrarë, tani duan ta shohin të vdekur”, tha për Expresso gazetari Muhamed Veliu.
Në mafie, si në kanun, gjaku është i përjetshëm.
Top Channel