Dhunohet për tarifat e ashensorit, 45-vjeçarja sulmohet në mes të rrugës, familja: Ndihemi të kërcënuar

03/04/2026 15:55

Ngjarja e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në zonën e rrugës Transballkanike, ku një 45-vjeçare me profesion mësuese është dhunuar.

Sipas familjarëve, konflikti ka nisur prej muajsh për shkak të mosmarrëveshjeve me administratoren e pallatit, lidhur me tarifat e mirëmbajtjes dhe mungesën e transparencës për shërbimet.

Babai i 45-vjeçares së dhunuar tregon se sherri është agravuar prej dhjetorit. Sipas tij, jo vetëm vajza, por edhe ai vetë është ndjerë i kërcënuar dhe i dhunuar nga persona të lidhur me administratoren e pallatit.

“Goditja ishte shumë e fortë, saqë nuk arrita të mbrohesha. Kam pësuar dëmtime serioze dhe për disa momente kam humbur edhe ndjenjat. Ka qenë edhe një vajzë dëshmitare e gjithë ngjarjes, e cila mund të konfirmojë çfarë ka ndodhur. Pas ngjarjes, bëra denoncim në polici.

Fillimisht nuk shkova menjëherë në spital, por pas disa ditësh, për shkak të gjendjes shëndetësore, u detyrova të bëj vizita mjekësore. Kam pasur probleme fizike dhe shqetësime të vazhdueshme.

Ajo që është më shqetësuese është se ne si familje ndihemi të kërcënuar. Edhe vajzat e mia kanë frikë, fëmijët nuk dalin më jashtë. Kjo situatë ka krijuar pasiguri për të gjithë banorët e pallatit”, tha Ilirian Lena.

Banorët pretendojnë se tarifat për ashensorin dhe mirëmbajtjen janë të larta dhe të pajustifikuara, çka ka sjellë edhe refuzimin e pagesave nga disa familje.

“Papritur, një person i veshur me rroba të zeza dhe me kapuç më doli përballë. U afrua drejt meje dhe, pa asnjë paralajmërim, më kapi për fyti. Filloi të më shante dhe të më shtynte.

Po, më shtrëngoi fort në fytyrë dhe më la shenja. Ishte një moment shumë i frikshëm, nuk dija si të reagoja. Sapo munda, njoftova menjëherë policinë dhe u nisa me vrap drejt banesës së prindërve të mi, që ndodhet në të njëjtin pallat ku jeton edhe ai person.

Po, në pallat ndodheshin dy banorë të tjerë që panë vazhdimin e situatës. Ai më ndoqi edhe aty, më kërcënoi dhe më tërhoqi nga duart, duke tentuar të më merrte telefonin që të mos telefonoja askënd.

Po, më vonë arrita ta identifikoj, edhe pse në momentin e ngjarjes ishte i maskuar me kapuç”, tha 45-vjeçarja.

Rasti është denoncuar në polici, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Top Channel