Video/ Tërmeti 7.4 ballë godet Indonezinë, një person humb jetën pasi shtypet nga rrënojat e ndërtesës
Autoritetet në shtetin e Utah në SHBA kanë mbyllur zyrtarisht një çështje të pazbardhur prej 51 vitesh, pasi teknologjia moderne e ADN-së konfirmoi se një adoleshente e vrarë ishte viktimë e vrasësit serial Ted Bundy.
17-vjeçarja Laura Ann Aime u zhduk në natën e Halloween-it në vitin 1974, pasi ishte larguar nga një festë. Trupi i saj u gjet rreth një muaj më vonë nga disa alpinistë në zonën malore të American Fork Canyon.
Zyra e Sherifit të Qarkut Utah njoftoi se analizat e reja të ADN-së “konfirmuan në mënyrë të pakundërshtueshme” praninë e ADN-së së Bundy-t në trupin e viktimës.
Edhe pse Bundy kishte pranuar më herët vrasjen e vajzës përpara ekzekutimit të tij në vitin 1989, ai nuk kishte dhënë asnjë detaj mbi mënyrën e krimit. Për këtë arsye, hetuesit vendosën ta mbanin çështjen të hapur derisa të siguronin prova të pakundërshtueshme, shkruan BBC.
“Ky rast tani është zyrtarisht i mbyllur”, deklaroi Sherifi i Qarkut Utah, Mike Smith, gjatë një konference për shtyp. Ai shtoi se, nëse Bundy do të ishte ende gjallë, prokurorët do të kërkonin dënimin me vdekje ndaj tij.
Ted Bundy konsiderohet një nga vrasësit serial më famëkeq në historinë e SHBA-së, duke vrarë të paktën 30 gra midis viteve 1974 dhe 1978, ndërsa dyshohet për shumë viktima të tjera. Ai vepronte duke fituar besimin e grave në vende publike, shpesh duke u shtirur si i lënduar, për t’i tërhequr më pas në zona të izoluara ku kryente krimet.
Në kohën e vrasjes së Laura Aime, Bundy jetonte në Salt Lake City dhe studionte drejtësi në Universitetin e Utah. Ai u arrestua fillimisht në vitin 1975 për rrëmbim, por arriti të arratisej dy herë nga burgu në vitin 1977, përpara se të kapej përfundimisht në vitin 1978.
Top Channel