Vrasjet e 2 prillit, çfarë ndodhi në Shkodër vetëm 48 orë pas zgjedhjeve të para pluraliste në 1991? Bishanaku u qëllua i pari nga snajperat, pas tij Broci, Kryeziu e Ceka

02/04/2026 16:44

Dy prilli përkujtohet çdo vit me ceremoni herë shtetërore e herë vendore në Shkodër, ku politikanë të të dyja krahëve vendosin kurora me lule për nder të katër dëshmorëve të rënë në vitin 1991.

Po çfarë ndodhi në 2 prill, vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të 31 majit 1991 në Shkodër?

Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, u fituan nga Partia e Punës. Por ky rezultat u prit me zhgënjim të madh dhe revoltë, veçanërisht në Shkodër, në kryeqendrën e veriut dhe një ndër qytetet me të goditura nga diktatura, gjatë regjimit gjysmëshekullor mono-partiak.

Të bindur se zgjedhjet ishin manipuluar nga Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit, mbështetësit e PD vendosën të mbajnë në datën 2 prill një protestë në sheshin përballë Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër. Autoritetet morën masa të forta, duke iu druajtur përshkallëzimit të situatës. Ministër i Brendshëm në atë kohë, ishte kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Protesta nisi rreth orës 8.00 të mëngjesit. Situata u acarua menjëherë, dhe nisën përplasjes mes protestuesve dhe forcave speciale. Në orën 8.15 u raportua vdekja e protestuesit të parë, Bujar Bishanaku. Ndërkohë në orën 08:45, u vranë Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci, ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes studentore që solli pluralizimin. Ndërkohë rreth orës 10:00, u qëllua për vdekje edhe Besnik Ceka.

Për këto vrasje u bënë përgjegjës snajperistët e pozicionuar në tarracën e Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër. Numri i të plagosurve mendohet se ishte 58.

Top Channel