Fjalimi i Donald Trumpit nuk bëri asgjë për të qetësuar tregjet globale të naftës.
Përkundrazi, me deklaratat se SHBA-ja do ta godasë jashtëzakonisht fort Iranin, presidenti amerikan i trazoi ato akoma edhe më shumë. Ne i kemi letrat në dorë, ata nuk kanë asgjë, këmbënguli shefi i Shtëpisë së Bardhë, që premtoi sërish një luftë të shkurtër.
“Po i afrohemi fundit. Irani nuk është më një kërcënim, por lufta ende nuk ka përfunduar. Ne do të intensifikojmë bombardimet mbi infrastrukturën e tyre energjetike. Nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje me iranianët, do t`i mbajmë sytë tek objektivat kyçe.
Po nuk pati ujdi, do të godasim egërsisht dhe ndoshta në të njëjtën kohë të gjitha impiantet e tyre të prodhimit të energjisë elektrike. Në dy apo tre javët e ardhshme do t’i godasim me ashpërsinë më të madhe. Do t’i rikthejmë në Epokën e Gurit, aty ku e kanë vendin.
Deri tani nuk e kemi shënjestruar naftën e tyre, edhe pse është objektivi më i lehtë nga të gjithë. Por mundësinë që ta godasim e kemi, e ajo do të zhdukej, dhe ata nuk mund të bëjnë asgjë për ta parandaluar”, u shpreh Trump.
Kaq u desh që kuotimi i naftës të merrte hov të ri; Nafta bruto Brent u rrit me 5%, duke mbërritur 106 dollarët për fuçi. Trump theksoi në fjalimin e tij 19 minutësh drejtuar kombit se vendet që kanë nevojë për naftë nga Lindja e Mesme duhet të marrin tani rolin kryesor për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit ku kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë.
Por ai nuk përmendi tërheqjen e SHBA-së nga NATO, në një kohë kur pak herët i kishte thënë gazetës The Telegraph se po konsideronte largimin nga aleanca, të cilën e përshkroi si një “tigër prej letre”.
Top Channel