“Nuk kishte vetëm një ofertë…”, letrat me shkrim dore të ish-Presidentit Meta nga burgu për avokatin e tij
Deputeti i PD Arjan Ndoj, gjatë interpelancës me ministrin e Brendshëm këtë të enjte, i ka shprehur zotit Lamallari shqetësimin e sjelljes së Gardës gjatë një takimi që Edi Rama ka pasur në bashkinë e Durrësit, ku deputeti nuk është lejuar që të marrë pjesë në mbledhje e këshillit bashkiak.
“Merr masa se kanë shkelur ligjin, nuk do t’i kallëzoj sepse ata zbatojnë urdhrin e eprorit”, tha deputeti Ndoja.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, iu përgjigj deputetit të opozitës Arjan Ndoja, duke theksuar se çështja e ngritur, përtej perceptimit politik, është në thelb një provë e qartë e qëndrimit ndaj ligjit dhe standardeve të shtetit ligjor.
Ai shtoi se sipas ligjit kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje.
Ministri nënvizoi se çdo situatë konkrete duhet trajtuar mbi bazën e fakteve dhe referimit të drejtpërdrejtë në ligj, duke refuzuar çdo përpjekje për ta relativizuar zbatimin e tij për interesa të momentit.
“Seanca pyetje-përgjigje që më ka thirrur sot deputeti i opozitës z. Arjan Ndoja, në pamje të parë mund të duket politike, por në thelb është një provë e thjeshtë e faktit dhe pyetjet që ne duhet t’i shtrojmë vetes: Nëse duhet të qëndrojmë në anën e ligjit, apo do ta relativizojmë atë sipas interesit të ditës? Pra duke marrë një rast konkret dhe duke u munduar për të fituar kapital politik.
Do ta shpjegoj këtë bazuar në fakte dhe në referim të ligjit. Pavarësisht se zoti Ndoja është jurist me përvojë të gjatë dhe njeri i ligjit, e njeh shumë mirë atë, ligji nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” është i qartë: “Kur një personalitet i mbrojtur, si Kryeministri i vendit, zhvillon një aktivitet, çdo ambient ku ai ndodhet trajtohet si objekt në ruajtje”. Ligji është i qartë dhe nuk ka interpretime. Në takimin e Durrësit, të cilit ju i referoheni në kërkesën tuaj, nuk ka përjashtime. Nuk ka privilegje. Nuk ka status mbi sigurinë. Ka vetëm një standard, zbatimin rigoroz të ligjit dhe masave të sigurisë sic e parashikon preraz ligji. Në këtë kuptim, çdo hyrje, çdo akses, çdo prani në atë ambient i nënshtrohet verifikimit dhe autorizimit sipas protokolleve përkatëse. Jo sipas dëshirës. Jo sipas bindjes politike, por sipas ligjit dhe vetëm ligjit”, tha ai.
“Rasti konkret në Durrës nuk ka qenë një mbledhje e Këshillit Bashkiak, nuk ka qenë një proces vendimmarrës institucional, ku pjesëmarrja e deputetëve është e detyrueshme. Ka qenë një takim i organizuar në kushte të caktuara sigurie, në prani të një personaliteti të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye, Garda ka zbatuar protokollet e saj. Moslejimi i hyrjes nuk ka qenë një akt politik. Nuk ka qenë një qëndrim selektiv. Nuk ka qenë një vendim arbitrar. Ka qenë një masë sigurie. Një masë ligjore. Një masë e domosdoshme pikërisht për të gjitha arsyet që unë rendita. Kjo vetëm bazuar në ligj dhe në protokollet e Gardës së Republikës”, tha Lamallari.
Top Channel