Lufta në Lindjen e Mesme/ Irani lëshon raketat drejt Izraelit, plagosen katër persona

02/04/2026 07:46

Ushtria e Izrael njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore u aktivizuan për t’iu përgjigjur një vale të sulmeve me raketa të lëshuara nga Irani.

Sulmet përfshinë të paktën dy seri goditjesh, disa prej tyre të ndodhura menjëherë pas fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump mbi konfliktin në Lindjen e Mesme.

Sipas policisë izraelite, pas sulmit të parë oficerët u dërguan në disa zona të goditura në Izraelin qendror, ndërsa mediat lokale raportuan për të paktën nëntë pika impakti. Burime mjekësore konfirmuan se katër persona mbetën të plagosur lehtë në zonën e Tel Aviv.

Raportimet mediatike bëjnë me dije se dëmet në një zonë të gjerë mund të jenë shkaktuar nga përdorimi i municioneve thërrmuese, të cilat shpërthejnë në ajër dhe shpërndajnë bomba të vogla. Megjithatë, nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme të tjera nga sulmet pasuese.

Ndërkohë, në veri të vendit u dëgjuan sirenat e alarmit për sulme ajrore, duke paralajmëruar për kërcënime të mundshme nga Libani. Grupi militant Hezbollah mori përgjegjësinë për lëshimin e raketave drejt trupave izraelite në zonat kufitare, si dhe për një sulm me dron ndaj një fshati. Nuk raportohen viktima apo dëme nga këto incidente.

Në të njëjtën kohë, Donald Trump mbajti një fjalim drejtuar kombit, duke deklaruar se “objektivat strategjike” në Iran janë pranë përfundimit dhe duke paralajmëruar për veprime të mëtejshme nëse nuk arrihet një marrëveshje diplomatike.

Top Channel