Opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane, reagon Bajram Begaj: Të gjitha institucionet relevante janë vigjilente
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftoi dje se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objektiva të caktuara në vendin tonë.
Në nisje të seancës së sotme parlamentare, ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha dhe ai i Brendshëm, Besfort Lamallari sqaruan se nuk ka arsye për t’u alarmuar dhe se qeveria është në kontakt me Ambasadën lidhur me këtë çështje.
“Ne i ndjekim me kujdes të gjitha paralajmërimet e aleatëve tanë. Jemi në kontakt me ata në Uashington, me partnerët në NATO”, tha Hoxha.
Ndërsa ministri Lamallari shtoi se “Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, i kam kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane”.
Gjatë seancës opozita kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për alarmin e vënë nga ambasada e SHBA-së.
“Unë i kërkoj presidentit që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ju kërkoj edhe juve, zoti kryetar i Kuvendit, që t’i kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, deklaroi Mediu.
Ambasada Amerikane i është përgjigjur interesimit të Top News, lidhur me paralajmërimin e shpërndarë zyrtarisht një ditë më parë, ku thuhej se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestronin vendin tonë. Në këtë reagim, Ambasada Amerikane në Tiranë deklaron se po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë.
Antiterrori ka rritur gatishmërinë në institucionet diplomatike në vendin tonë si dhe pranë MEK, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha. Kjo vjen një ditë pas njoftimit të Ambasadës amerikane se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë vendin tonë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e dhënë ditën e djeshme nga ambasada amerikane në Tiranë për sulme të mundshme nga Irani. Para se të hynte në Kuvend për seancë plenare, ministri Nufi u shpreh se paralajmërimi është dhënë nga të gjitha ambasadat amerikane në Evropë, jo vetëm për atë në Tiranë, për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Mes përplasjeve në Kuvend, kryetari Niko Peleshi ka ndaluar seancën për pak çaste. Ai ka përshëndetur ‘spektatorët’ e veçantë që morën pjesë në këtë seancë, nxënësit e klasës së 9-të të një shkolle jopublike në Pogradec.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kritikoi në Kuvend mungesën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Ai u shpreh se ka kërkuar prej dy muajsh interpelancë me ministrin, i cili nuk është paraqitur në sallë për shkak të një vizite të tij në Kosovë.
Ministri i Brendshëm Besford Lamallari ka sqaruar se pas postimit të ambasadës amerikane në Tiranë i ka kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i është përgjigjur Fatmir Mediut pasi kërkoi që të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë Kombëtare një ditë pas njoftimit të ambasadës së SHAB se Irani mund të shënjestrojë vendin tonë.
Kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se nuk ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me rrezikun që mund të ketë Shqipëria për ndonjë sulm nga Irani. Gjatë fjalës në Kuvend Balla ka kërkuar që të mos përhapet panik nga deputetët e opozitës, ndërsa iu drejtua Fatmir Mediut duke i thënë se duhet të shkojë dhe të japë llogari para drejtësisë për jetët e humbura në tragjedinë e Gërdecit.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u shpreh se nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar, pavarësisht paralajmërimit të Ambasadës Amerikane. “Dua të siguroj deputetin Shehu dhe këdo brenda dhe jashtë salle, ne i ndjekim me kujdes të gjitha paralajmërimet e aleatëve tanë. Jemi në kontakt me ata në Uashington, me partnerët në NATO.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u ndal te paralajmërimi i Ambasadës Amerikane për një sulm të mundshëm nga grupet terroriste të lidhura me Iranin. Ai kërkoi interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar këtë çështje si tepër të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.
Fatmir Mediu gjatë fjalës së tij në Kuvend i është drejtuar presidentit me një kërkesë për të thirrur me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Dua t’i kujtoj kryeministrit që çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë ekskluzivitet as i ministrisë, as i kryeministrit. Është Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Unë i kërkoj presidentit që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare”.
10:11 Nis seanca plenare në Kuvend, Niko Peleshi prezanton rendin e ditës
Ka nisur seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvend. Kryeparlamentari, Niko Peleshi, e ka nisur këtë seancë me prezantimin e rendit të ditës. Në rendin e ditës parashikohet dhe një interpelancë e Kryeministrit Edi Rama me deputeten e PD, Jorida Tabaku.
Top Channel