“Edhe pak ka ngelur, dy deri në tre javë”/ Trump paralajmëron për fundin e luftës, kritikon edhe aleatët: Ne nuk kemi nevojë për naftën e Hormuzit

02/04/2026 07:21

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë “afër përfundimit të të gjitha objektivave ushtarake në Iran” dhe se misioni mund të përfundojë brenda dy deri tre javësh.

Në një mesazh drejtuar kombit mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, Trump gjithashtu kritikoi aleatët e SHBA-së lidhur me Ngushticën e Hormuzit: “Ne nuk importojmë naftë përmes Hormuzit; nuk kemi nevojë për të. Vendet që e marrin prej andej, e marrin vetë. Sapo të mbarojë lufta, Ngushtica do të rihapet natyrshëm.”

Sipas Presidentit, SHBA-të janë “plotësisht të pavarura nga Lindja e Mesme”, duke shtuar se prania amerikane në rajon ka për qëllim vetëm mbështetjen e aleatëve dhe jo nevojën për burimet e tyre: “Ne jemi atje për të ndihmuar aleatët tanë, nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata.”

Trump vlerësoi gjithashtu efektivitetin e operacionit të ndërmarrë më 28 shkurt kundër Iranit, duke thënë se regjimi dhe programi bërthamor u zhdukën brenda 32 ditësh: “Nuk pamë kurrë diçka të tillë në historinë e luftës, mendoni për luftërat botërore apo Vietnamin. Jemi në prag të përfundimit të kërcënimit të Iranit ndaj Amerikës.”

Presidenti theksoi se ndryshimi i regjimit nuk ishte objektiv i SHBA-së, megjithatë “eliminimi i udhëheqësve historikë” rezultoi në ardhjen e një lidershipi më të arsyeshëm. Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA-të do të godasin objektet energjetike të Iranit.

Në lidhje me ekonominë, presidenti u shpreh optimist: “Ekonomia jonë është jashtëzakonisht e fortë, inflacioni nuk ekziston dhe tregjet do të rimëkëmben pas përfundimit të luftës.”

Top Channel