Përtej Varshavës dhe Valencias, Shqipëria e Sylvinhos mes “tavanit” dhe shpresës

01/04/2026 19:08

Nga Endi Tufa

Fërshëllima e fundit në ndeshjen ndaj Ukrainës në Valencia (1-0) nuk kishte peshën e një eliminimi, sepse ai u konsumua ditë më parë në “PGE Narodowy” të Varshavës. Ajo që pamë në këtë takim ishte thjesht një epilog melankolik, një “miqësore e të dëshpëruarve” mes dy ekipeve që ëndrrën amerikane e kishin humbur në gjysmëfinalet e play-off-it.

Për Sylvinhon, kjo mund të ishte ndeshja e fundit mbi stol. Edhe pse kontrata e tij që skadon në korrik tashmë janë edhe dy data ndeshjesh miqësore në muajin qershor. Por përpara se të flasim për lamtumirën, le t’i hedhim një sy, rrugëtimit që na solli deri këtu.
Grupi që i mësoi Shqipërisë të ishte cinike

Nëse dikush do të thoshte në fillim të këtij cikli se Shqipëria do të mbërrinte në marsin e vitit 2026 me shanse reale për Botëror, do të konsiderohej optimist i pandreqshëm. Megjithatë, statistikat e grupit eliminator flasin për një rritje profesionale që nuk mund të hidhet në kosh:

Pjekuria ndaj “të mëdhenjve” (Anglia & Serbia): Ndaj Anglisë, Shqipëria tregoi një disiplinë taktike europiane, duke mos u shpërbërë as në momente vështirësie. Por ishin përballjet me Serbinë ato që certifikuan “pjekurinë psikologjike”. Fitorja dhe barazimi ndaj një rivali direkt u bazuan në një përballje të barabartë në aspektin e efikasitetit që ishte e një niveli mbresëlënës, pak raste, por goditje vdekjeprurëse.

Diktati ndaj “të vegjëlve”: Ndryshe nga vitet e shkuara, ndaj Andorrës dhe Letonisë nuk pati asnjë “hiccup”. Me një zotërim mjeti që shpesh kalonte 60%, Shqipëria e Sylvinhos tregoi se di të sillet si favorite, duke arkivuar pikët e nevojshme me një ftohtësi pothuajse mekanike.

Varshava si “tavan”-i dhe Valencia si refleksion

Humbja 2-1 ndaj Polonisë në gjysmëfinalen e play-off-it ishte përplasja jonë me realitetin e elitës. Aty ku gabimi i parë ndëshkohet dhe ku presioni i 50 mijë tifozëve kundërshtarë peshon më shumë se skemat në tabelë.

Sot ndaj Ukrainës, skuadra ishte e boshatisur. Pa asnjë vlerë zyrtare, ky 90-minutësh shërbeu vetëm si pasqyrë, pa motivimin e pikëve, Shqipëria u kthye në një bllok mbrojtës që vuajti kontrollin e topit të kundërshtarit.
Pyetja që shtrohet pas këtij marsi të hidhur është: A shkoi dëm gjithë ajo punë? Përgjigjja është një “Jo” e prerë.

Ky nuk është dështim, është një proces pjekjeje. Shqipëria sot nuk është më skuadra që “shkon për vizitë” në eliminatore. Ne jemi skuadra që arriti në play-off për herë të parë në histori, duke lënë pas rivalë si Serbia. Ky është një gur i rëndë që u vendos në themelet e futbollit tonë. Lojtarët tanë tashmë e njohin peshën e një finaleje. Ata e dinë çfarë do të thotë të humbasësh në prag të ëndrrës, dhe kjo dhimbje është “karburanti” që duhet për ciklin e ardhshëm.

Epoka “Sylvinho” dhe e ardhmja…

Sylvinho e mbyll kontratën e tij në korrik si trajneri që na bëri të besonim tek e pamundura. Ai na dha një identitet modern dhe një stabilitet mbrojtës që na mungonte. Nëse FSHF do të zgjedhë rinovimin apo një frymë të re, kjo mbetet për t’u parë, por trashëgimia e tij është e qartë, një kombëtare me dinjitet që nuk ka më frikë nga askush.

Ne nuk do të shkojmë në Botërorin e 2026-s, por kemi fituar diçka po aq të rëndësishme, respektin e kundërshtarëve dhe vetëbesimin tonë. Ky zhgënjim nuk është fundi, por vetëm leksioni i fundit që na duhej për t’u bërë vërtet të mëdhenj. Nesër, ëndrra fillon sërish.

Top Channel