Kritikat e Spiropalit për arrogancë në PS, Kumbaro: Nuk u përgjigjem opinioneve, tani jemi shumë afër Europës

01/04/2026 14:14

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u pyet për kritikat e Elisa Spiropalit.

Ajo u shpreh se nuk kërkon t’i përgjigjet opinioneve, teksa tha se Shqipëria tashmë është më afër se kurrë Europës.

Pyetja: Ish-kryetarja e Kuvendit, ish-ministrja e Jashtme, ish-ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin e ka cilësuar në një reagim, e ka cilësuar Europën se përdoret nga kjo mazhornancë socialiste vetëm si një retorikë, madje duke shkuar edhe më tej, duke thënë se debati në Partinë Socialiste ndrydhet, ka një sjellje arrogante. Gjithashtu për lidershipin ka thënë që po krijon një model ku shpërblehet ai që bindet dhe jo ai që e meriton. A është ky realiteti në PS?

“Ju më kërkoni të jap opinion mbi opinionet. Unë po ju jap opinion me fakte. Unë i përkas brezit që bëri përmbysjen me sloganin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Unë kam përgjegjësinë e jashtëzakonshme që t’i përkas brezit që tani është shumë afër dhe ka përgjegjësinë politike për ta çuar Shqipërinë në Europë. Kjo matet pikërisht me një punë që qeveria, prej tre mandatesh e pak e bën në mënyrë të matshme. Sloganet dhe dëshirat nuk mjaftojnë. Kjo matet me centimetra, punë dhe dokumentacione dhe unë sapo ju dhashë provën se një ndër këto dokumentacionet është një nga këto vendime që miratuam sot. Monitorim i matshëm që monitorohet jo vetëm nga organet e shtetit shqiptar që e kanë për detyrë, por çdo akt ligjor apo nënligjor kalojnë së pari në filtrin e Komisionit Europian”, tha Kumbaro.

Top Channel