Kërkesat për rritjen e çmimit të biletave të transportit publik, ministri Karakaçi: Jemi duke e marrë në konsideratë

01/04/2026 14:29

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se po zhvillojnë takime me shoqatat e transportit lidhur me kërkesat për rritjen e çmimeve të biletave, pas rritjes së kostos së naftës.

Karakaçi shtoi se po analizojnë mundësinë e rikthimit të skemës së subvencionimit të karburantit, siç ndodhi në vitin 2022, si dhe po shqyrtojnë propozime të tjera të ardhura nga përfaqësuesit e transportit.

“Jo më larg se para rreth dy orësh, bashkë me ministren e Ekonomisë dhe bashkinë e Tiranës ishim në takim me shoqatat e transportit. Situata e krizës dhe çmimeve është duke u ndjekur me kujdes. Qeveria ka njoftuar disa plane masash, si ngritja e Bordit të Transparencës dhe akcizën.

E dimë që gjatë 2022 janë marrë disa akte subvencioni sa i përket shoqatave, ky element po diskutohet përsëri. Por jemi duke e marrë në konsideratë bashkë me propozime të tjera të bëra nga shoqatat e transportit”, tha ai.

Top Channel