Polonia jashtë Botërorit, Robert Lewandowski drejt tërheqjes nga kombëtarja
Ministri i Sportit italian, Andrea Abodi, deklaroi se futbolli italian duhet të rindërtohet dhe se ky proces duhet të nisë me një ripërtëritje të lidershipit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
“Qeveria ka treguar angazhimin e saj ndaj sportit italian përgjatë viteve. Nuk është korrekt të mohosh përgjegjësinë e saj për dështimin e tretë radhazi në Kupën e Botës, duke akuzuar vetëm institucionet,” tha Abodi.
Ministri theksoi se do t’i kërkojë presidentit të FIGC-së, Gabriele Gravina, të japë dorëheqjen, duke shtuar: “Pres një rritje dinjiteti prej tij.”
Abodi falënderoi ekipin dhe trajnerin për angazhimin e treguar, por nuk nguroi të kritikonte menaxhimin e futbollit italian.
“Futbolli është një sport, por në Itali ai ka marrë një rol kulturor dhe prestigj ndërkombëtar. Është e dhimbshme të mendosh se një brez i tërë fëmijësh nuk ka përjetuar emocionin e Kombëtares në një Kupë Bote.”
Ministri shtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë sportin, por theksoi nevojën për përgjegjësi, përulësi dhe respekt nga të gjithë aktorët. “Italia duhet të kthehet në skenën botërore të futbollit,” tha ai.
Pyetjes nëse FIGC duhet vendosur nën administrim të veçantë, Abodi u përgjigj se kjo mund të vendoset vetëm kur katër rrethana specifike vërtetojnë kolapsin menaxherial ose ligjor të Federatës.
Sipas Statutit të CONI-t, ndërhyrja emergjente kërkohet në prani të parregullsive të rënda administrative, shkeljeve të rregulloreve sportive, pamundësisë së organeve drejtuese për të funksionuar ose pamundësisë për të siguruar zhvillimin e kampionateve, duke u bazuar gjithashtu në parimet e Kartës Olimpike.
Abodi përmendi gjithashtu shembuj të dorëheqjeve dinjitoze të mëparshme në futbollin italian: “Abete u largua pas dështimit në Brazil, ndërsa i ndjeri Tavecchio bëri të njëjtën gjë pas eliminimit nga Suedia. Koha për të përmendur emra të rinj ende nuk ka ardhur, por duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës.”
Top Channel