Pas humbjes ndaj Turqisë, trajneri i Kosovës, Franco Foda, nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin final, por njëkohësisht vlerësoi paraqitjen dhe përkushtimin e futbollistëve të tij në fushë.

Tekniku gjerman theksoi se skuadra tregoi karakter dhe luftoi deri në fund, duke shtuar se ndihet krenar për mënyrën se si lojtarët përfaqësuan Kosovën në këtë sfidë të rëndësishme.

“Sigurisht që jemi të zhgënjyer me rezultatin, sepse besoj se mund të merrnim më shumë nga kjo ndeshje. Megjithatë, ekipi tregoi shpirt gare dhe angazhim maksimal. Jam krenar me lojtarët dhe me mënyrën se si e përfaqësuan Kosovën”, u shpreh Foda.

Ai nuk la pa përmendur edhe mbështetjen e tifozëve, duke i falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme, si në stadium ashtu edhe jashtë tij.

Në lidhje me të ardhmen e tij në krye të ekipit, Foda theksoi se nuk ka ndërmend të largohet dhe se objektivi mbetet i njëjtë.

“Nuk e kam në plan të largohem. Qëllimi ynë kryesor është kualifikimi në Kampionatin Evropian të ardhshëm. Kemi qenë shumë pranë dhe kjo na jep besim për vazhdimësinë”, përfundoi trajneri i Kosovës.

Top Channel