Trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, u shfaq tejet i zhgënjyer pas humbjes ndaj Bosnjës, një disfatë që i kushtoi “Azzurrëve” mungesën në Kupën e Botës për të tretin edicion radhazi.

Tekniku italian, i prekur emocionalisht pas ndeshjes, vlerësoi maksimalisht paraqitjen e futbollistëve të tij, duke theksuar se ata nuk e meritonin një eliminim të tillë.

“Këta djem nuk e meritonin këtë fund, duke parë shpirtin e garës dhe përkushtimin që treguan. Luftuam deri në fund, me pasion, madje për një pjesë të madhe të lojës ishim edhe me një lojtar më pak. Është një zhgënjim i madh, dhemb shumë”, u shpreh Gattuso.

Ai shtoi se ndihet krenar për ekipin, duke nënvizuar se lojtarët e tij e surprizuan me angazhimin dhe karakterin e treguar në fushë.

“Ishim si në llogore, dhamë gjithçka nga vetja. Kjo humbje më dhemb vërtet shumë”, vijoi ai.

I pyetur për të ardhmen e tij në krye të kombëtares, Gattuso shmangu një përgjigje konkrete, duke theksuar se momenti aktual kërkon reflektim dhe jo diskutime për kontratën e tij.

“Nuk është koha për të folur për të ardhmen. Ajo që ka rëndësi tani është fakti që nuk arritëm të kualifikohemi. Më vjen keq dhe kërkoj ndjesë që nuk ia dolëm”, përfundoi trajneri italian.

Top Channel