BE akordon 2 milionë euro për Kubën, ndihmë emergjente për popullsinë në krizë

01/04/2026 19:07

Bashkimi Evropian do të ofrojë 2 milionë euro ndihmë humanitare për Kuba, e cila po përballet me një krizë të rëndë energjetike dhe ekonomike.

Lajmi u konfirmua nga Komisionerja për Menaxhimin e Krizave, Haja Labib, e cila theksoi se “BE-ja qëndron pranë popullit të Kubës në orën e tij të nevojës”.

Sipas autoriteteve evropiane, financimi do të kanalizohet përmes organizatave humanitare për të siguruar shpërndarjen e ushqimit dhe ujit të pijshëm për popullsinë në nevojë.

Kuba prej vitesh po përballet me një krizë të thellë ekonomike, e cila është përkeqësuar ndjeshëm muajt e fundit për shkak të mungesës së karburantit dhe embargos së naftës të vendosur nga Shtetet e Bashkuara.

Situata u rëndua edhe më tej në janar, kur vendi humbi furnizuesin kryesor të karburantit, Venezuelën, pas zhvillimeve që përfshinë presidentin Nicolas Maduro. Karakasi kishte qenë burimi kryesor i naftës për Kubën për më shumë se 25 vjet.

Sipas Komisionit Evropian, kjo paketë synon të ndihmojë deri në dy milionë persona, në një vend që përballet me mungesa në rritje dhe krizë energjetike.

Ndihma prej 2 milionë eurosh i shtohet edhe fondeve të tjera të miratuara më herët nga BE-ja për rajonin e Karaibeve për vitin 2026.

Top Channel