Duhet të ishte një ndeshje që do të na ndihmonte për të kuruar plagët e marra në Poloni, por rezultoi e kundërta.

Kombëtarja shqiptare humbi ndaj Ukrainës në miqësoren e të dëshpëruarve të zhvilluar në Spanjë me rezultatin 1-0. Në këtë ndeshje ra në sy aktivizimi si titullar i Bujar Pllanës, i cili u vendos në qendër të mbrojtjes përkrah Berat Gjimshitit, një aktivizim ky i detyruar për shkak të dëmtimit të Ajetit dhe Ismajlit.

Pjesa e parë ishte e gjitha nën dominimin ukrainas, që kishte frenat e lojës në dorë. Yaremchuk ishte një prej kërcënimeve për mbrojtjen kuqezi, me këtë të fundit që në minutën e 17 shënoi në portën e Strakoshës një gol që për fatin e kuqezinjve u anulua për pozicion jashtë loje.

Sulmet e skuadrës ukrainase vijuan edhe në minutat në vazhdim, por për fat të mirë të Kombëtares asnjë prej gjuajtjeve të futbollistëve të saj nuk përfundoi brenda kuadratit të portës, dhe pjesa e parë u mbyll 0-0 me një kombëtare që ishte krejtësisht e zbehur dhe dukej se luante pa dëshirë.

Pjesa e dytë nisi me një gol, dhe ishte Ukraina ajo që e gjeti me anë të Gutsulyak. Pas shënimit të këtij goli nuk u pa asnjë fije reagimi nga kuqezinjtë, ndërkohë që Ukraina nisi të kërkojë edhe golin e dytë.

Për të parë një tentativë të kombëtares duhej të prisnim minutën e 59 me Lacin, por gjuajtja e tij u dërgua në goditje këndi. Por më pas ishte sërish Ukraina që kërkoi golin e dytë dhe në minutën e 70 iu afrua me Shaparenkon, që u ndal nga shtylla.

Gjërat nuk ndryshuan më deri në fund dhe rezultati mbeti 1-0 për Ukrainën, e cila të paktën ngushëllohet me fitoren e kësaj miqësoreje.

Ndërsa te Kombëtarja, në përfundim të kësaj fushate, duhet të bëhet një analizë e thellë për mënyrën sesi përfunduan gjërat dhe të gjendet një përgjigje për pikëpyetjet që ngrihen për të ardhmen e saj.

Rezultati:

Ukrainë 1-0 Shqipëri

46′ Hutsuliak

Komenti Live:

90+2′ Mbyllet sfida me fitoren 1-0 të Ukrainës!

90′ Akordohen 2 minuta shtesë.

67’ Ukrainasit gjejnë hapësira të shumta tashmë, me Hutsuliak i cili ka mundësinë të gjuajë i vetëm, por nuk gjen portën e Strakoshës.

65’ Pas një aksioni nga e djathta e sulmit ukrainas, Voloshin gjuan por gjen përgjigjen e Strakoshës.

63’ Mehmeti nga e majta nis një top në shtyllën e dytë për Uzunin i cili rrëzohet e kërkon penallti, gjyqtari nuk e mendon si sulmuesi.

60’ Balliu, Bajrami dhe Pajaziti hyjnë në fushë në vend të Hysajt, Shehut dhe Laçit në radhët e kuqezinjve.

59’ Laçi provon nga distanca dhe çon topin ë trekëndësh, portieri Riznik devijon në këndore.

46’ Gol Ukraina 1-0/ Shënojnë ukrainasit me gjuajtjen e parë në portë në pjesën e dytë! Pas një harkimi nga e majta, topi shkon në shtyllën e dytë ku Hutsuliak me kokë mposht Strakoshën. (VIDEO)

46’ Pjesa e dytë nis me Pilon dhe Mehmetin në fushë në vend të Brojës dhe Hoxhës.

46′ Nis pjesa e dytë!

45′ Mbyllet pjesa e parë në Valencia!

31’ Një harkim nga e djathta gjen Shaparenkon në zonë, gjuajtja e tij me kokë shkon lart mbi traversë.

29’ Malynovskyi tenton nga jashtë zonës, sfera nuk gjen portën e kuqezinjve.

25’ Broja nga e djathta merr topin mirë, i ikën mbulimit të mbrojtjes e më pas tenton të kalojë portierin por pa sukses.

24’ Voloshyn ka mundësinë e artë për të shënuar për ukrainasit, por gjuajtja e tij i vetëm në zonë devijohet nga Strakosha.

17′ Yaremchuk godet me kokë dhe tund rrjetën, por goli anulohet për pozicion të parregullt.

6’ Kuqezinjtë kanë mundësinë të rrezikojnë me një goditje këndi, por harkimi i Laçit në shtyllën e dytë është shumë i fortë.

4’ Yaremchuk gjen hapësirë në të majtën dhe gjuan nga jashtë zonës, Strakosha pret në pozicion.

1′ Nis sfida në Valencia!

Formacionet Zyrtare:

Top Channel